Mahir Mustafa lindi më në Veshallë. Ai rrjedh nga vllaznia e familjes LURA, e dalluar për kultivimin e vlerave themelore njerëzore brez pas brezi.
Babai i tij, Aliu, trashëgimtar i denjë i vlerave familjare të stërgjyshit Tafil Lura (Tafiluri), nëna Ajshja, e bija e Adem Agës, si edhe rrethi i ngushtë e i gjerë familjar, ndikuan që Mahiri, që në fëmijërinë e hershme, të formohej me kuptimin për mirësjellje, me ndjenjën e përgjegjësisë sociale, me ndjeshmëri edukative, kulturore e etike dhe me interesim të veçantë për dituri.
Këto prirje u vunë re te ai që në shkollën fillore, të cilën e kreu në vendlindje. Meqë shkonte mirë me mësime edhe në mejtep, hoxha i atëhershëm ia kishte mbushur mendjen babait të tij se Mahiri duhet të bëhej hoxhë.
Përkundër dëshirës së hoxhës dhe të babait, ai për të qenë bashkë me shokët e tij, e vazhdoi dhe e kreu arsimin e mesëm, në drejtimin e përgjithshëm, në Gjimnazin e Tetovës, ndërsa Shkollën e Lartë Pedagogjike, drejtimin gjuhë dhe letërsi shqipe e maqedone, e përfundoi në Shkup.
Në vitin akademik 1983/84 Mahir Mustafa u shpall studenti më i mirë i Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe njëri ndër dhjetë studentët më të mirë në kuadër të universiteteve dhe shkollave të larta në Maqedoni.
Që në fillimet e veprimtarisë së tij arsimore, në Veshallë, Shipkovicë dhe në Reçicë të Madhe, ku e ushtroi profesionin e mësimdhënësit, ai u dallua për përkushtim profesional, për kompetenca pedagogjike dhe për mjeshtëri didaktike të mësimdhënies në transmetimin e dijes, në nxitjen e të nxënit – të mësuarit si të mësohet, dhe në mbështetjen e zhvillimit të nxënësve.
Sa herë që babai ia kujtonte dëshirën e tij të paplotësuar, Mahiri e qetësonte duke i thënë: “Ti doje që unë të bëhesha hoxhë, dhe unë ta kam plotësuar dëshirën, sepse fjala hoxhë (hoca) në gjuhën turke do të thotë mësues/profesor”.
Mërgimi i detyrueshëm si mundësi zhvillimi I kënaqur për mundësinë e ushtrimit të veprimtarisë profesionale, e me rrethanat jetësore, Mahiri nuk e kishte menduar ndonjëherë se do t’i vinte puna që për shkaqe ekonomike, si shumë të tjerë edhe ai të emigrojë, e ndoshta edhe të shkëputet nga profesioni, që e kishte zgjedhur me vetëdëshirë e bindje të plotë.
Por pas ndarjes nga jeta të vëllait të tij më të madh, Mehazit, në janar të vitit 1987, i cili deri atëherë kishte qenë shtylla kryesore për mirëqenien e familjes, Mahiri vendosi të emigronte në Zvicër, me synimin që të kujdesej për mirëqenien e mëtejshme të familjes së vëllait, të prindërve dhe për familjen e tij që sapo kishte filluar ta krijojë.
Megjithatë, rrugëtimi i tij në mërgim dallon thelbësisht nga modeli i zakonshëm i kurbetit të bashkë-fshatarëve të tij nga Veshalla dhe të tjerëve, të cilët, të detyruar, kryesisht nga rrethanat ekonomike, shkonin në Zvicër e gjetiu për të gjetur punë si punëtorë krahu në blegtori, në ndërtimtari ose në industri.
I vetëdijshëm se integrimi dhe depërtimi në fushën e tij kërkonin, para së gjithash, zotërimin e gjuhës, ai e mësoi dhe e përvetësoi gjuhën gjermane në mënyrë autodidakte dhe arriti që, në Universitetin Popullor në Tetovë, pas dhënies së provimeve nga niveli I deri në nivelin V, të pajisej me diplomën e nivelit më të lartë për zotërimin e gjuhës gjermane.
Dhe pikërisht njohja e gjuhës gjermane u bë çelësi që ia hapi rrugën, që në shtator të vitit 1989 të shkojë në Zvicër si praktikant në Qendrën për Edukim Special të fëmijëve dhe të rinjve me ngecje në zhvillim psikik e fizik në BALM, Jona – Rapervil (Rapperswil).
Pas përfundimit të praktikës tremujore, ai arriti që me propozimin dhe mbështetjen referenciale të drejtorit të përgjithshëm të Qendrës për Edukim Special, të punësohet nga janari i vitit 1990 në Shkollën Speciale për fëmijë me ngecje në zhvillim psikik e fizik në Kronbühl, afër Vitenbahut (Wittenbach) të St. Gallen-it.
Krahas punës si mësues, i ndoqi seminaret profesionale të pedagogjisë speciale dhe u pajis me kualifikimin përkatës për këtë fushë. Gjatë kësaj periudhe u mor intensivisht me pedagogjinë speciale, me qasjet shumëdimensionale të edukimit dhe me dimensionin ndërkulturor e të punës socialpedagogjike.
Ndikimi i Fondacionit Kinderdorf Pestaloci (Pestalozzi) në krijimin e profilit profesional të Mahir Mustafës Interesimi i tij i veçantë për pedagogjinë shumëdimensionale dhe ndërkulturore u bë shkas dhe arsye që, në janar të vitit 1991, të punësohej në Shkollën Ndërkombëtare të Fondacionit Pestaloci (Pestalozzi) në Trogen, si mësimdhënës i gjuhës gjermane dhe i edukimit paqësor për nxënës me prejardhje të ndryshme sociokulturore nga shumë vende të botës.
Gjatë vitit 1992 – 1993 Mahiri i kryen studimet pasdiplomike për mësimdhënien e gjuhës gjermane për të huajt duke u specializuar në Institutin DIDACTA në Cyrih (Zürich) për metodikën dhe didaktikën e gjuhëve.
Deri në vitin 1995 ai ka ndjekur kurse të ndryshme në fushën e zhvillimit të shkollës si institucion edukativ e arsimor (me theks të veçantë në shkollat interkulturore), komunikimit ndërkulturor dhe të bashkëjetesës paqësore, të drejtave të njeriut, edukimit paqësor, zgjidhjes së konflikteve dhe të mediacionit, Programimi Neurolinguistik – NLP – Neuro Linguistic Programming, Metoda Tomatis, mësimi përmes projekteve etj. etj.
Në vitin 1995 ai arrin që nga Departamenti i Arsimit të Kantonit Apencell Auseroden (Appenzell Ausserrhoden – AR) të pajiset me kualifikimin e barazvlefshëm zviceran.
Në Fondacionin Kinderdorf Pestaloci, një institucion me rëndësi të veçantë për Zvicrën, jo vetëm për shkak të emrit të reformatorit të madh të edukimit e arsimimit Johan Hajnrih Pestaloci (Johan Heinrich Pestalozzi), por edhe për shkak të veprimtarisë së tij të gjerë edukative, arsimore e sociokulturore në arsimin formal dhe joformal, Mahir Mustafa veproi në sektorë të ndryshëm: mësimdhënës në shkollën ndërkombëtare, udhëheqës i projektit ALBA në fushën socio-edukative, udhëheqës i qendrës për përsosje profesionale, udhëheqës në sektorin e projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ekspert për zhvillimin e kurrikulave në sektorin e zhvillimit të programeve arsimore për edukim e arsimim formal dhe joformal në Zvicër dhe për tridhjetë shtete të tjera partnere të Fondacionit Kinderdorf Pestaloci.
Bartja dhe përçimi i pedagogjisë ndërkulturore në të gjitha nivelet arsimore Përvojën e fituar në Fondacionin Kinderdorf Pestaloci, sidomos në fushën e edukim-arsimimit ndërkulturor dhe paqësor, Mahir Mustafa e përçoi më tej në institucione të ndryshme edukativo-arsimore, nga kopshtet e fëmijëve deri në nivelin universitar.
Krahas figurave të rëndësishme të kësaj fushe, si Kristina Aleman Gionda (Cristina Allemann – Ghionda), Andrea Lanfranki (Andrea Lanfranchi), Basil Shaderi (Basil Schader) e të tjerë, ai u profilizua si një nga ekspertët më të rëndësishëm të pedagogjisë ndërkulturore dhe të edukimit paqësor në Zvicër.
Me përkushtim të veçantë e ligjëroi pedagogjinë ndërkulturore dhe shumëdimensionale në shkollat e larta pedagogjike, përkatësisht në Universitetin e Mësuesisë PHZH në Cyrih, në PHTG në Krojclingen (Kreuzlingen) dhe në PHGR në Kur (Chur).
Për pesëmbëdhjetë vjet radhazi ai i bashkudhëhoqi, përmes qasjes “Diversiteti – metodë hulumtimi e reflektimi”, modulet pranverore dhe vjeshtore, ndër më të vlerësuarat nga studentët: ekskursionet studimore trijavore me studentë të Universitetit të Mësuesisë PHZH të Cyrihut në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Kroaci.
Përmes këtyre formave të të nxënit, ai krijoi hapësira dhe mundësi ku studimi nuk mbështetej vetëm në ligjërime, literaturë dhe teori shkencore, por edhe në vetëpërjetim aktiv, vëzhgim, vetëstudim, vetëpërvojë, vetëhulumtim dhe vetëreflektim.
Studimet, hulumtimet dhe angazhimi akademik Krahas angazhimit shumëvjeçar në Fondacionin Kinderdorf Pestaloci dhe ligjërimit paralel në shkollat e larta pedagogjike, Mahir Mustafa i përfundoi, në periudhën 2000 – 2002, studimet master në fushën e shkencave të edukimit inkluziv në Universitetin e Frajburgut (Freiburg) të Zvicrës.
Nga viti 2002 deri në vitin 2012 ai ka ndjekur kurse të ndryshme për përsosje profesionale: strategjitë e të mësuarit dhe të studiuarit, nga dija te veprimi, të drejtat e fëmijëve, arsimimi për të drejtat e njeriut, edukimi për qytetari demokratike – EDC – Education for Democratic Citizenship, menaxhimi dhe marketingu i projekteve.
Në qendër të përpjekjeve për përsosje profesionale gjatë kësaj kohe e pati ngritjen e vazhdueshme profesionale në programin PATHS, pranë Institutit të Shkencave të Arsimit dhe Edukimit të Universitetit të Cyrihut, mësimi me veprim për të ardhmen, konstruktivizmi – Didaktika konstruktive në arsimimin e të rriturve – studentëve dhe studiuesve.
Nga viti 2012 deri në vitin 2015, i kreu studimet doktorale në shkencat e edukimit dhe ato sociale në Universitetin Evropian të Tiranës. Në kontekstin e studimeve doktorale, ai u angazhua në projektin e madh ZEPPELIN – PAT (Parents as Teachers – Mit Eltern Lernen), i financuar nga Fondacionit Kombëtar Zviceran, e i udhëhequr nga Shkolla Ndërkantonale për Pedagogji Speciale në Cyrih.
Ky projekt, i cili për objekt studimi e kishte përcjelljen e zhvillimit social, kognitiv, gjuhësor dhe të përgjithshëm të fëmijëve, që nga lindja, ia mundësoi Mahirit që në kuadër të studimeve doktorale, të merret me krahasimin e zhvillimit gjuhësor të fëmijëve shqiptarë në Cyrih me rrethinë, në Tiranë, Prishtinë dhe Tetovë, nga mosha zero deri në tre vjeç.
Krahas bashkëveprimit në projektin ZEPPELIN, e të studimeve doktorale, ai nga janari i vitit 2011 deri në qershor të vitit 2014 ishte i angazhuar në Institutin e Shkencave të Edukimit dhe Arsimimit të Universitetit të Cyrihut, ku u shqua si bashkëpunëtor në projektin ambicioz të këtij universiteti: Promoting Alternative Thinking Strategies – PATHS/PFADE, Program për Nxitjen dhe Zhvillimin e Strategjive të të Menduarit Alternativ.
Që nga qershori i vitit 2014 punon si bashkëpunëtor i rregullt, udhëheqës, trajnues, profesor dhe përcjellës i studentëve në AGOGIS, institucionin më të madh në Zvicër në fushën e pedagogjisë sociale, me qendra në Basel, Olten, Zürich dhe St. Gallen.
AGOGIS është institucion i studimeve terciare, i njohur për modelin e tij të ndërthurjes së studimeve teorike dhe praktike në raportin 50 – 50%. Një model i veçantë për studime për të ardhmen.
Angazhimi në të gjitha nivelet arsimore Në mënyrë përmbledhëse mund të thuhet se Mahir Mustafa përfaqëson figurën e edukatorit, mësuesit, arsimtarit, mësimdhënësit, profesorit, mentorit, studiuesit dhe përcjellësit shkencor, i cili është formuar dhe ka kontribuar profesionalisht në të gjitha nivelet e fushës së edukim-arsimimit.
Në mungesë të një edukatoreje shqiptare të kualifikuar, dhe me qëllim që projekti i edukimit dygjuhësh, i konceptuar prej tij, të mos mbetej i parealizuar, ai punoi për shembull gjatë viteve 1997 – 2001 pjesërisht me orar të caktuar, në bashkëpunim ekipor (Team Teaching) me një edukatore zvicerane, si edukator në Kopshtin e Fëmijëve SONNE në Rorschach.
Në rrugëtimin e tij profesional ai ka punuar edhe si: mësimdhënës në shkollat fillore në Maqedoni, mësimdhënës në shkollën speciale në Kronbühl – Vitenbah (Kronbühl-Wittenbach) SG, mësimdhënës në Shkollën Ndërkombëtare Pestalozzi të Fondacionit Kinderdorf Pestaloci mësimdhënës në Shkollën Kantonale, përkatësisht në Gjimnazin Kantonal në Romanshorn të Zvicrës, ligjërues në shkollat e larta pedagogjike dhe fakultetet e mësuesisë në Cyrih, Krojclingen (Kreuzlingen) dhe Kur (Chur), ligjërues në Shkollën e Lartë për Punë Sociale, në studimet pasdiplomike në Rorshah (Rorschach) dhe St.
Gallen, ligjërues në Shkollën Ndërkantonale për Pedagogji Speciale në Cyrih, studiues në Institutin e Shkencave të Edukimit dhe Arsimimit të Universitetit të Cyrihut, profesor dhe bashkëpunëtor profesional në institucionin e studimeve terciare në fushën e pedagogjisë sociale, HF AGOGIS, në Basel, Olten, Cyrih dhe St. Gallen.
Multiplikator i dijes Përveç veprimtarisë së tij në të gjitha nivelet e fushës së Edukimit dhe Arsimit, ajo që e bën Mahir Mustafën të veçantë si mësues, pedagog-profesor etj., është kontributi i tij në përçimin e diturisë te nxënësit, studentët, studiuesit – pra nga një brez te tjetri.
Kurset, seminaret, punëtoritë didaktike e futuriste të ofruara nga ai për përsosje profesionale të edukatoreve, mësuesve, arsimtarëve, profesorëve etj. në Pestalocium, në Shkollat e Larta Pedagogjike, në Universitetet e Mësuesisë e në Agogis me tematika nga: mësimdhënia dhe mësimnxënia, të mësuarit si të mësohet, strategjitë e të mësuarit, stilet e të mësuarit në kontekst ndërkulturor, tipet (llojet) e mësimit, mësimi kooperativ e konstruktiv, mësimi me veprim për të ardhmen, kulturat e të mësuarit, të mësuarit nga njëri-tjetri dhe me njëri-tjetrin, të mësuarit në partneritet, të mësuarit në shkëmbime ndërkulturore, shumëllojshmëria kulturore dhe integrimi, sfida dhe shkaqe për zhvillime personale dhe shoqërore (ekonomike, sociale, politike, profesionale, gjuhësore etj., kultura, vlerat, normat dhe dimensionet kulturore, ndërmjetësimi kulturor, sjellja dhe veprimet në përputhje me diversitetin kulturor, mediacioni si model për zgjidhjen e konflikteve të situatave me kontekst ndërkulturor, menaxhimi i konflikteve, mësimi ndërkulturor si parim i arsimimit me perspektivë, komunikimi ndërkulturor dhe të kuptuarit, dilemat në kontekst ndërkulturor, kompetenca ndërkulturore, dialogu rreth diferencave dhe diversitetit, nga dialogu në trialog, të drejtat themelore në kontekst konfliktesh ndërkulturore (Konceptet politike për të drejtat themelore), bashkëpunimi dhe bashkëveprimi ndërkulturor për zhvillimin e vendeve të pazhvilluara, teknologjia dhe globalizmi ekonomik e sociokulturor, mësimi dhe studimi hulumtues e zbulues, bashkëpunimi në mes shkollës dhe familjes, në mënyrë të veçantë bashkëpunimi me prindërit me prejardhje jozvicerane, udhëheqja e bisedave (bisedat me prindërit.) në kontekst intra e interkulturor, edukimi paqësor si parim për bashkëjetesë paqësore, rëndësia e gjuhës amtare për përvetësimin e gjuhës së dytë dhe të tjerave, përfshirja e gjuhës amtare gjatë mësimdhënies në gjuhën gjermane, këshillimi dhe përcjellja profesionale (individuale dhe në grupe) e institucioneve arsimore (shkollave, kolektiveve), punëtorëve socialë, dhe profesionistëve të tjerë e nëpunësve-zyrtarëve, janë ndjekur nga mijëra edukatore, mësues, arsimtarë, profesorë etj.
Për këtë, Mahir Mustafa mund të quhet me të drejtë multiplikatori i dijes. Projektet për zhvillim e përparim Jeta dhe zhvillimi i tij personal e profesional mund të lexohen si një projekt i gjatë formimi, veprimi dhe kontributi, i shoqëruar me sfida, vështirësi e ngritje, por edhe me vendosmëri, për t’i shndërruar përvojat në mundësi zhvillimi e përparimi.
Në këtë kuptim, Mahir Mustafa mund të quhet simbolikisht njeri i projekteve, sepse këtë e dëshmojnë projektet e shumta që ai ka konceptuar, bashkëkonceptuar, udhëhequr ose realizuar në fushën e edukimit, të kulturës, të integrimit dhe të zhvillimit social.
Përveç projekteve të zhvilluara në mbi tridhjetë shtete në kuadër të Fondacionit Kinderdorf Pestalozzi, ai ka realizuar edhe një numër të madh projektesh të tjera.
Ndër më të veçuarit janë: Hulumtimet në Arkivin Shtetëror Osman në Stamboll (2025) “Diversiteti natyror e sociokulturor në fshatrat e malësisë së Sharrit të rajonit të Tetovës” (2023 …) “Java e Veçantë Studimore” në Fakultetin Pedagogjik të Universitetit të Tetovës (2017 – 2024) Ngritja profesionale e edukatoreve në Maqedoninë Perëndimore, përkatësisht në komunat shqiptare në Maqedoninë e Veriut (2024) Mbështetja e Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës me literaturë shkencore, mjete pune për Programin Studimor Pedagogjia Speciale dhe mjete didaktike (2014) Krahasimi i zhvillimit gjuhësor të fëmijëve shqiptarë nga lindja deri në moshën trevjeçare: Zürich – Tiranë – Prishtinë – Tetovë (2012 – 2015) Konceptimi dhe realizimi i seminareve intensive për përsosjen profesionale të bashkëpunëtorëve të organizatave partnere të fondacionit zviceran HEKS (Kisha Evangjeliste Zvicerane) në Shqipëri: “Empowerment nëpërmjet arsimimit ndërkulturor dhe të drejtave të njeriut” dhe “Zhvillimi dhe bashkëpunimi ndërkulturor”; përcjellja nga distanca e organizatave partnere të HEKS-it në Shqipëri (Coaching of Distance for HEKS Partner Organizations in Albania, 2008 – 2011) Konceptimi dhe realizimi i seminareve intensive për përsosjen profesionale të bashkëpunëtorëve të organizatave partnere të Fondacionit Zviceran Pestaloci në Maqedoni (2008 – 2009) Java Studimore në Zürich për përsosjen profesionale të zyrtarëve të lartë të arsimit dhe të 25 mësimdhënësve të komunës së Prizrenit (2006) Përsosja profesionale dhe përcjellja nga distanca (Coaching of Distance) e stafit qendror dhe rajonal të Kosovës për realizimin e projektit KOSOVISION CONTEST (2006 – 2010) Bashkëveprimi në hartimin e konceptit të projektit KOSOVISION CONTEST, projekt arsimor i Universitetit të Edukimit të Cyrihut, i realizuar nga viti 2006 deri në vitin 2020 Konceptimi dhe zhvillimi i kurrikulës për studimin njëvjeçar emPower për të rinj nga e gjithë bota në Fondacionin Pestaloci në Trogen, Zvicër (Intercultural Leadership Program for Young Adult – Interkulturelle Jugendarbeit, 2005) Konferenca Mbarëkombëtare e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Diasporë (2003) Këshillimi praktik për mediatorët ndërkulturorë të kantonit të Cyrihut (2003) Konceptimi dhe realizimi i kursit të përbashkët për prindër dhe mësimdhënës “Takimi i dy kulturave”, i realizuar në shkollën St.
Leonhard në St. Gallen, i cili në vitin 2002 u shpërblye me çmimin për risi në fushën e arsimit “Innovative Projekte im Bildungsbereich” në kantonin e St.
Gallen-it (2002) Krijimi i Institutit për Çështje Ndërkulturore MOZAIK (2002) Seminari javor për ngritjen profesionale të mësimdhënësve të Shkollës Fillore “Besa” të Veshallës (2002) Realizimi i kurseve për përsosjen profesionale të kuadrit arsimor të komunave të Gjilanit dhe Prizrenit në kuadër të projekteve “Në hap me kohën” dhe “Bashkëpunimi ndërkulturor” (2001 – 2006) Konceptimi dhe zhvillimi i zyrës profesionale për bashkëjetesë ndërkulturore në Fondacionin Pestaloci (2001) Hartimi i kurrikulës “Multiplikatorët në fushën e Arsimit të Kosovës” dhe udhëheqja e seminarit gjashtëmujor për mësues nga Kosova, të përgatitur si multiplikatorë në fushën e Arsimit (1999 – 2000) Java studimore në Zvicër për përsosjen profesionale të mësimdhënësve shqiptarë nga Tetova (1999) Hartimi i konceptit dhe kurrikulës programore “Mësimi dygjuhësh” gjermanisht-shqip, frëngjisht-shqip dhe italisht-shqip për fëmijët refugjatë nga Kosova me qëndrim të përkohshëm në Zvicër (1998 – 2002) Pajisja e kopshtit të fëmijëve në shkollën fillore “Besa” të Veshallës me lojëra, lodra dhe materiale didaktike (1999) Krijimi i Shoqatës ARSIMI – BILDUNG – EDUCATION për mbështetjen e bashkëpunimit me institucionet arsimore shqiptare (1999) Java studimore në Zvicër me 42 absolventë dhe 5 profesorë të gjeneratës së parë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës (1998) Zhvillimi i konceptit “Mbështetja e fëmijëve të vegjël në zhvillimin e kompetencës në gjuhën amtare” dhe realizimi i projektit sipas këtij koncepti me fëmijët shqiptarë në kopshtin e fëmijëve “Sonne-Dielli” në Rorschach, kantoni i St.
Gallen-it (1997 – 2001) Përsosja profesionale e mësimdhënësve të Shkollës Shqipe në Zvicër (1995 – 2010) Institucionalizimi i Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër (1995) – Udhëheqja 20-vjeçare e saj.
Fuzionimi i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Lidhjes së Prindërve Shqiptarë në Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri”, bartëse e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues (1995) Hapja e klasave për mësim plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në tërë Zvicrën.
Krijimi i rrjetit të Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues (1992 – 2010) Hapja e klasave për mësim plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në kantonin e St. Gallen-it (1990 – 2010).
Nga projektet dhe bashkëpunimet e shumta personale e profesionale me institucionet arsimore dhe ato ndërinstitucionale në fushën e hulumtimeve dhe të përçimit të dijes te të tjerët – përsosjes profesionale, më me interes dhe si më të pëlqyerat e Mahirit mund të veçohen këta e këto: angazhimi i tij për ruajtjen e gjuhës së parë – gjuhën e zemrës – dhe të vlerave kombëtare në mërgim nëpërmjet Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues, dhe bashkëpunimi i ngushtë në këtë kontekst me babain e shkollës fillore shqiptare – prof.
Dr. Shefik Osmanin, bashkëpunimi me albanologun e didaktin e njohur zviceran prof. Dr. Basil Schader-in, bashkëpunimi me koordinatorët e 24 shteteve për realizimin e Programit Studimor Udhëheqësit e Ardhshëm të Shoqërive të Margjinalizuara (Intercultural Leadership Program for Young Adult), bashkëpunimi shumëvjeçar me Institutin për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Edukim-Arsimimit (International Projects in Education – IPE) të Universitetit të Mësuesisë PHZH në Cyrih, bashkëpunimi me Shkollën Ndërkantonale për Pedagogji Speciale HfH në Cyrih, bartëse e projektit ZEPPELIN, bashkëpunim me Institutin e Shkencave Edukativo-Arsimore të Universitetit të Cyrihut në kuadër të programit PATHS, dhe bashkëpunimi shumëvjeçar me Konferencën e Mjekëve Zviceranë për Fëmijët (Kinderärzte Schweiz – KIS), me të cilët është marrë intensivisht me çështjen e zhvillimit të fëmijëve.
Krijimtaria letrare, shkencore, publicistike dhe përkthimet Në jetën dhe veprimtarinë e Mahir Mustafës nuk ka munguar as krijimtaria letrare, shkencore e publicistike. Ai ka botuar: “Pedagogjia, Shkollat Shqipe me Program Plotësues”, në bashkautorësi me Prof. Dr.
Musa Krajën dhe autorë të tjerë, EXTRA-R, Tiranë, 2013 “Emi-, Imi-, Remi-”, dramë leximi me sfond sociokulturor të mërgatës shqiptare në Zvicër, shqip-gjermanisht, Shtëpia Botuese Careum, Zürich, 2010 “Sociologjia – Njeriu dhe Zhvillimi”; ndikimi i ndryshimeve shoqërore te fëmijët, Shtëpia Botuese Careum, 2009, autor kryesor i tekstit mësimor për punëtorët profesionalë të fushës specifike të përkujdesjes së fëmijëve “Brückenbauen – Urëndërtimi”, botuar nga Pestalozzi Children’s Foundation dhe Shtëpia Botuese hep, 2009, në bashkautorësi me Martina Schäfer dhe Heinz Wöhnlich “Historia e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Zvicër”, Shtëpia Botuese Maluka, Tiranë, 2007, në bashkautorësi me Prof.
Dr. Shefik Osmanin “Princesha Ardita”, Shtëpia Botuese e Teksteve Mësimore e Kantonit të Cyrihut, 2001/2003/2005 …, shqip-gjermanisht, në bashkautorësi me Silvia Hüsler “Gjermanisht për shqiptarët”, EKA, Komisioni Federal për Çështje Migrimi e Integrimi, Bernë, 1996, adaptim i teksteve mësimore për mësimin e gjermanishtes.
Me punimet e tij me tema nga fusha e edukimit dhe arsimit si dhe të atyre sociale e socio-kulturore, të cilat kanë shërbyer dhe shërbejnë si nxitje dhe bazë për studime të thelluara nga studiuesit e fushës edukative e socialpedagogjike, Mahiri ka lënë gjurmë edhe në konferencat kombëtare e ndërkombëtare. Trajtimi i temave nga ai në konferenca e simpoziume, si p.sh.
“Sfidat e shekullit XXI në fushën e Arsimit”, “Inkluzioni, utopi apo mundësi reale”, “Mësimi efikas përmes përjetimit dhe vetëstudimit” etj. etj. kanë hapur shtigje dhe mundësi për qasje kritike ndaj temave për rolin e shkollës dhe të arsimit për të ardhmen. Veprimtaria e Mahir Mustafës është shtrirë edhe në mediat e shkruara, elektronike dhe digjitale.
Në këtë fushë mund të përmenden: “Shkolla në Prizren”, film i Dominik Roost dhe Mahir Mustafës, producent: Universiteti i Edukimit i Cyrihut, 2010 TV-Spot “Flisni shqip”, versioni i shkurtër dhe i gjatë, producent: Video-Artwork St. Gallen, 2006 Emisionet në gjuhën shqipe “Zëri i mërgimtarit” në Radio Aktuell, St.
Gallen, “Radio Wil-i flet shqip” në Radio Wil dhe në Radio TOP (1995 – 2005; dhjetë vjet radhazi Radio Wil-i fliste të hënën dhe të premten në mbrëmje shqip) Redaktimi i revistës për fëmijë “Shqiponjat” në Zvicër (1994 – 1996) Bashkëveprimi në realizimin e emisionit “Pikëtakimi ndërkombëtar” në Radio Aktuell, St. Gallen, me përgjegjësi për emisionin në gjuhën shqipe (1992 – 1996).
Emri i Mahir Mustafës është i pranishëm edhe në shtypin shqiptar të hapësirës gjuhësore e kulturore shqiptare, si dhe në mërgim. Me artikujt dhe trajtimet e tij tematike, kryesisht nga fusha profesionale, por edhe nga ajo sociopolitike, ai ka lënë gjurmë për qasjen dhe mendimin kritik dhe vizionar.
Në gazeta, revista dhe portale janë publikuar, ndër të tjera, shkrimet: “Fol në gjuhën e zemrës” (Zëri i Ditës), “Nga? Ku? Kah?
Roli dhe funksioni i gjuhës së parë për fëmijët mërgimtarë” (Bota Sot), “Suedezët të mirëseardhur, shqiptarët të padëshiruar” (Zëri i Ditës), “Faktorët me ndikim pozitiv në suksesin e nxënësve” (Zëri i Ditës), “Bashkëpunimi në mes shkollës dhe familjes” (Zëri i Ditës, Bota Sot etj.), “Rëndësia e gjuhës amtare për përvetësimin e gjuhëve të tjera” (Zëri), “Rëndësia e pedagogjisë interkulturore në shoqëritë multikulturore” (Bota Sot), “Veçoritë e një organizate të mirë, zhvillimi i organizatave” (Flaka), “Shkolla si organizatë mësimi dhe zhvillimi i saj” (Flaka), “Maqedonia – nyja gordiane” (Flaka dhe Fakti), “Konfliktet dhe arti i negociatave” (Flaka dhe Fakti), “Mediacioni si model ndërmjetësimi dhe zgjidhjeje konfliktesh” (Flaka), “Si populli, qeveria” (në shumë gazeta e portale), “Discere et studére ad futurum – Me msue e me studiue për ardhmëri – Mësim e studim për të nesërmen” (në shumë gazeta e portale), si dhe “‘Arsimi’ nga Zvicra mbështet arsimin shqip në Ballkan” (Albinfo) etj. etj.
Krijimi i urave lidhëse ndërkulturore Me artikullin “Integrimi i duhur do kohë” dhe shumë të tjerë të kësaj fushe, të publikuar në shumë gazeta dhe portale zvicerane, pasqyrohet angazhimi shembullor dhe shumëvjeçar i Mahir Mustafës në fushën e mërgimit dhe të integrimit.
Që nga viti 1991 ai është bashkëpunëtor i Qendrës për Informim dhe Këshillim pranë Bashkësisë për Çështje Migrimi e Integrimi të qytetit dhe kantonit të St. Gallen-it (ARGE). Është e vështirë të përfytyrohet që njerëzit që kanë pasur nevojë për informim dhe këshillim në qytetin dhe kantonin e St.
Gallen-it të mos kenë përfituar nga shërbimet e tij profesionale, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes gazetës shumëgjuhëshe INFORMATION. Si anëtar i grupit të punës për hartimin e konceptit integrues të qytetit dhe kantonit të St.
Gallen-it, si edhe si konsulent për disa qendra integrimi në Zvicrën gjermanishtfolëse, Mahir Mustafa ka luajtur rol të rëndësishëm në fushën e integrimit, të bashkëjetesës paqësore dhe të ndërtimit të urave ndërmjet komuniteteve.
Ai ka përkthyer nga gjermanishtja në gjuhën shqipe: “Vizita e ujkut të vogël” – “Besuch vom kleinen Wolf”, Silvia Hüsler, Lehrmittelverlag des Kantons Zürich “Si i mëson fëmija im të dyja gjuhët, shqipen dhe gjermanishten – Wie lernt mein Kind 2 Sprachen, Deutsch und Albanisch?”, Staatsinstitut für Frühpädagogik, München; tekst: Michaela Ulich; grafikë: Silvia Hüsler; përkthim: Mahir Mustafa “Buba e vogël e pangopur kurrë” – “Die kleine Raupe Nimmersatt”, Eric Carle, Gerstenberg Verlag, 1998, Bestand Bibliomedia Schweiz/Unikat “Për ku je nisur ti, ariu i vogël polar?” – “Kleiner Eisbär, wohin gehst du?”, Hans de Beer, Nord Süd, 2002, Bestand Bibliomedia Schweiz/Unikat.
Lidhja me rrënjët dhe kontributi për përjetësinë e tyre Përveç veprimtarisë shumëdimensionale dhe asaj profesionale si docent (profesor) në AGOGIS, ai merret aktualisht në mënyrë intensive me projektin “Diversiteti natyror dhe sociokulturor në malësinë e Sharrit të rajonit të Tetovës”, me hulumtimin e dokumenteve të marra nga Arkivi Shtetëror Osman në Stamboll, me shndërrimin e godinës së zbrazur shkollore “BESA” në një objekt shumëfunksional (shkollë verore për fëmijët e të rinjtë e diasporës, kampe për fëmijë e të rinj, bujtinë për vizitorë e turistë, vendtakim gjeneratash, vendekspozim kujtimesh e biografish, vend për organizime seminaresh, simpoziumesh etj. etj.), si edhe me krijimin e Institutit për Studime Sociokulturore ISSK, të shoqëruar me pjesën e muzeut etnologjik e sociokulturor për malësinë e Sharrit të rajonit të Tetovës në godinën e shkollës në Veshallë, në hapësirat e të cilit thënia “Ngado që të shkosh, mbaje në mend dhe kujtohu se nga vjen” do të jetë prezente kudo përmes eksponateve me vlerë të madhe si burim i vazhdueshëm frymëzimi për të ardhmen, sepse e ardhmja ka nevojë për kujtime nga e kaluara dhe e sotmja.
Përmbyllje: nga dija te veprimi për shumëfishimin e saj për të mirën e njerëzimit Rrugëtimi i Mahir Mustafës dëshmon se dija nuk është vetëm pasuri personale, por përgjegjësi shoqërore.
Nga Veshalla në Tetovë, nga Tetova në Zvicër, nga shkolla fillore te universiteti, nga pedagogjia e përgjithshme ta ajo speciale, nga pedagogjia ndërkulturore te pedagogjia inkluzive, nga projektet arsimore te hulumtimet sociokulturore, duke menduar e vepruar lokalisht e globalisht dhe ndërsjelltas ka ndërtuar një jetë të orientuar drejt zhvillimit, përçimit të dijes dhe veprimit në të mirë të njerëzimit.
Prandaj, figura e tij mund të përmblidhet si sintezë e tri dimensioneve: dije, zhvillim dhe veprim për shumëfishim. Në këtë kuptim, Mahir Mustafa – Lura shërben jo vetëm si biografi individuale, por edhe si shembull i një rruge jetësore ku përvoja personale e profesionale shndërrohen në kontribut të gjerë shoqëror.
