Pas një hetimi disavjeçar, autoritetet në Nevada të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë arritur të identifikojnë personin, eshtrat e të cilit u gjetën brenda një fuçie të ndryshkur në liqenin Mead, pranë Las Vegasit.
Bëhet fjalë për Edward “Buddy” Lelburian Jackson, eshtrat e të cilit u zbuluan në maj të vitit 2022, pasi thatësira e madhe kishte shkaktuar rënien e nivelit të ujit në liqen. Viktima kishte një plagë nga arma e zjarrit në kokë.
Sipas Departamentit të Policisë Metropolitane të Las Vegasit, identiteti i tij u konfirmua vetëm së fundmi, pasi hetuesit arritën të gjenin familjarët e tij përmes analizave të ADN-së. Detektivi i hetimeve për vrasje, Robert Price, bëri të ditur se Jackson dyshohet të jetë vrarë gjatë viteve 1980, kur ishte në mesin ose në fund të të pesëdhjetave.
Pavarësisht spekulimeve se vrasja mund të ketë lidhje me mafien, Price theksoi se deri më tani nuk ka prova që e lidhin rastin me ndonjë grup të njohur kriminal. Jackson ishte me origjinë nga Arkansas dhe njihej si person që udhëtonte shpesh nëpër pjesë të ndryshme të perëndimit të SHBA-së.
Ai kishte jetuar edhe në Kaliforni dhe Jutë, ndërsa familjarët e tij u kanë thënë hetuesve se ai lëvizte vazhdimisht nga një vend në tjetrin. Brenda fuçisë, përveç rrobave që viktima kishte veshur, nuk u gjetën sende të tjera. Plumbi që dyshohet se i mori jetën nuk është gjetur.
Policia vazhdon hetimet për identifikimin e autorit dhe përcaktimin e motivit të vrasjes, ndërsa kalimi i disa dekadave paraqet sfidë për zbardhjen e plotë të rastit. Ndërkohë, liqeni Mead është bërë vend zbulimi edhe për trupa të tjerë, pasi rënia e nivelit të ujit për shkak të thatësirës ka nxjerrë në sipërfaqe mbetje njerëzore që për vite kishin mbetur të zhytura në ujë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!