Vushtrrisë i solli fat Podujeva. Pas shtatë humbjeve radhazi në fillim të sezonit, skuadra me traditë në futbollin kosovar e gjeti më në fund rrugën drejt fitores, duke mposhtur Gjilanin me rezultat 1-0 në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Përtej tri pikëve të para, ky triumf mund të jetë një pikë kthese për një ekip që, krahas vështirësive sportive, po përballet edhe me kushte aspak të favorshme për të zhvilluar kampionatin. E rikthyer në Superligën e Kosovës, Vushtrria është detyruar t’i luajë ndeshjet si vendase jashtë qytetit të saj, pasi stadiumi “Ferki Aliu” ndodhet në proces rinovimi.
Kështu, skuadra nuk e ka pasur mundësinë të mbështetet në një fushë të qëndrueshme vendase dhe në atmosferën që zakonisht krijohet përpara tifozëve të saj, të njohur si “Forca”. Në tetë xhirot e para, Vushtrria i ka zhvilluar ndeshjet në disa stadiume të ndryshme.
Dy herë ka luajtur në fushën me bari artificial në Hajvali, dy herë në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, ndërsa përballjen e fundit ndaj Gjilanit e zhvilloi në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Edhe pse në letër ka qenë nikoqire në disa prej këtyre takimeve, në praktikë skuadra është dashur të përshtatet vazhdimisht me terrene dhe rrethana të ndryshme.
Rezultatet e javëve të para e pasqyruan vështirësinë e këtij fillimi. Në xhiron e parë, Vushtrria pësoi humbje të thellë 6-1 nga Malisheva në Hajvali. Më pas u mposht 2-1 nga Ballkani në Suharekë, 1-0 nga Drita në Hajvali dhe 1-0 nga Prishtina në Kampin Nacional në Hajvali. Vështirësitë vazhduan edhe në dy ndeshjet e zhvilluara në Malishevë, ku Llapi fitoi 4-0, ndërsa Drenica triumfoi 3-0.
Në xhiron e shtatë, Vushtrria pësoi humbje 3-1 në udhëtim te Feronikeli 74, duke e mbyllur serinë e shtatë ndeshjeve pa fitore. Në tetë takimet e para, skuadra kishte realizuar vetëm katër gola dhe kishte pësuar 20, shifra që e bënin edhe më të rëndësishme nevojën për reagim.
Ndryshimi në stol dhe reagimi ndaj Gjilanit Në fillim të sezonit, skuadra drejtohej nga Besnik Kollari, i cili më pas dha dorëheqje. Fitorja e parë erdhi me Fitim Llapashticën në krye të ekipit, pikërisht në ndeshjen e tij të parë. Vushtrriasve u mjaftoi një gol i Urim Statovcit për t’i siguruar tri pikët dhe për të ndërprerë serinë negative.
Statovci shënoi në pjesën e dytë, në minutën e 58-të, duke i dhënë fund një periudhe të vështirë për skuadrën. Goli ishte vendimtar në një ndeshje ku Vushtrria arriti të ruante epërsinë deri në fund dhe të merrte një fitore që mund të ndikojë jo vetëm në renditje, por edhe në gjendjen emocionale të ekipit.
Pas ndeshjes, trajneri Fitim Llapashtica shprehu besimin e tij te futbollistët, duke vlerësuar cilësinë dhe kontributin e tyre në rikthimin e klubit në elitën e futbollit kosovar. “Këta lojtarë kanë vlerë. Ka lojtarë kampionë që e kanë kthyer Vushtrrinë në Superligë. Nuk ka qenë momenti i tyre”, deklaroi Llapashtica.
Ai bëri të ditur se skuadra kishte punuar gjatë gjithë javës për t’i identifikuar pikat e forta të vetes dhe dobësitë e kundërshtarit, duke theksuar se Vushtrria e meriton të jetë pjesë e Superligës dhe se ngërçi i rezultateve, sipas tij, tashmë është kaluar.
Në këtë proces, rëndësi ka edhe puna e stafit teknik, ku përveç Llapashticës bëjnë pjesë Mensur Maxhuni, Ilir Izmaku, Bashkim Shala dhe video-analisti Edison Hyseni. Fitorja e parë është një rezultat që mund t’ua lehtësojë punën dhe t’i japë grupit më shumë besim për vazhdimin e kampionatit.
Daut Maxhuni: Stadiumi dhe tifozët kanë qenë arma jonë më e fortë Për kapitenin Daut Maxhuni, triumfi ndaj Gjilanit erdhi në një moment të rëndësishëm, pas problemeve që e shoqëruan skuadrën në fillim të sezonit. Në një intervistë për Telegrafin, ai shpresoi se tri pikët do të ndikojnë pozitivisht te futbollistët dhe do t’u japin shtysë për ndeshjet e ardhshme.
“Vërtet është fitore e rëndësishme dhe ka ardhur në momentin më të mirë për ekipin, pasi kemi pasur shumë probleme në fillim të kampionatit. Besoj se do të ndikojë pozitivisht te ekipi”, u shpreh Maxhuni. Kapiteni nuk e fshehu se mungesa e stadiumit dhe e kushteve të zakonshme ka ndikuar në skuadër.
Sipas tij, tifozët dhe fusha vendase kanë qenë ndër armët më të forta të Vushtrrisë, ndërsa tani ekipi duhet të përballet edhe me vështirësi në përgatitje. “Ne, si klub, për të treguar të drejtën, frymëzimin dhe armën tonë më të fortë i kemi pasur tifozët dhe stadiumin vendas. Që na ka penalizuar, nuk ka diskutim.
Edhe kushtet ku po stërvitemi për momentin nuk janë aspak të mira, pasi në stadium kanë filluar punimet. Duhet të përballemi me shumë gjëra”, tha ai. Maxhuni shpreson që të ndërmerren hapa për përmirësimin e fushës në Dobërllukë, në mënyrë që Vushtrria të ketë mundësi t’i zhvillojë ndeshjet e pranverës si vendase.
Deri atëherë, skuadra duhet të vazhdojë të përshtatet me rrethanat dhe të kërkojë pikë në stadiume që nuk janë shtëpia e saj. “Klubi është mbi të gjithë” Për Maxhunin, vështirësitë e këtij sezoni kanë qenë të veçanta. Kapiteni tregoi se, ndonëse gjatë rrugëtimit të tij ka përjetuar periudha të vështira, gjendja e klubit në fillim të këtij kampionati ishte ndryshe.
Ai vendosi të qëndrojë, duke e lidhur vendimin me dashurinë që ka për Vushtrrinë që nga fëmijëria. “Si kapiten, të tregoj të drejtën, kemi pasur vështirësi shumë të mëdha gjatë rrugëtimit, për ambicie të ndryshme. Mirëpo, kësaj here situata është krejt ndryshe.
Gjendja në klub nuk ka qenë e mirë në fillim të sezonit, për arsye që dihen, por nuk kam dashur të largohem e ta lë klubin në gjendjen në të cilën ishte. Dashuria që kam pasur si fëmijë dhe shumë rrethana më kanë bërë të qëndroj besnik”, deklaroi ai.
Mesazhi i kapitenit është se interesat e klubit duhet të qëndrojnë mbi ato individuale, sidomos në periudhat kur rezultatet dhe rrethanat nuk janë në favor të skuadrës. “Individët vijnë e shkojnë, por klubi është mbi të gjithë. Në këtë gjendje në të cilën është klubi, duhet mobilizim shumë më i madh.
Situata dhe atmosfera te djemtë, por edhe në qytet, kanë ndryshuar për të mirë pas fitores së fundit. Besojmë se në ndeshjet e ardhshme do të tregojmë rezultate edhe më të mira. Normalisht, kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë”, shtoi Maxhuni.
Rinovimi i stadiumit, një sfidë që shkon përtej rezultateve Rinovimi i stadiumit “Ferki Aliu” përfaqëson një investim të rëndësishëm për të ardhmen e klubit, por në të tashmen e ka lënë Vushtrrinë pa një prej elementeve më të rëndësishme për një skuadër futbolli: fushën e saj.
Projekti për zgjerimin dhe rinovimin e stadiumit është paraparë të realizohet sipas standardeve të kategorisë II të UEFA-s, me mbi 4.000 ulëse dhe tribuna të mbuluara në të gjitha anët. Megjithatë, deri në përfundimin e punimeve, skuadra duhet ta përballojë sfidën e zhvillimit të ndeshjeve larg qytetit, ndërkohë që kërkon të përmirësojë rezultatet dhe të largohet nga fundi i tabelës.
Fitorja ndaj Gjilanit nuk i zgjidh të gjitha problemet e Vushtrrisë, por i jep klubit një arsye për të besuar se situata mund të ndryshojë. Pas shtatë humbjeve radhazi, tri pikët në Podujevë mund të shërbejnë si pikënisje për një kapitull të ri, në të cilin skuadra do të duhet të dëshmojë se mund t’i përballojë vështirësitë sportive dhe ato jashtë fushës.
Për Vushtrrinë, sfida e radhës nuk është vetëm të fitojë ndeshje, por të ruajë unitetin dhe besimin në një sezon që nisi në rrethana të vështira. Dhe nëse Podujeva ishte vendi ku erdhi reagimi i parë, tashmë mbetet të shihet nëse ky sukses do të shndërrohet në fillimin e një serie më pozitive. Standings provided by Sofascore
