Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nismë të cilën e kundërshtoi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke mos marrë pjesë në votim. Qëndrimi i LDK-së ka nxitur reagime brenda strukturave të partisë, të cilat kanë rezultuar edhe me dorëheqje të disa zyrtarëve.
Ndër ta është Xhafer Gashi, i cili dha dorëheqje nga pozitat e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm, anëtarit të Kryesisë dhe kryetarit të degës së LDK-së në Obiliq. Po ashtu, asambleistët Labinot Mirena dhe Vlora Mjekiqi Kabashi njoftuan se mandatet e tyre në Kuvendin Komunal të Obiliqit do t’i vazhdojnë si të pavarur.
Një ditë pas miratimit të projektligjit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, reagoi përmes një postimi në Facebook, duke deklaruar se qytetarëve u ishin krijuar pritshmëri të rreme lidhur me efektet juridike të kësaj nisme. Abdixhiku mbrojti qëndrimin e partisë, duke përsëritur se LDK-ja kishte paralajmëruar për pasojat e mundshme juridike të ndryshimeve të propozuara.
Ai kritikoi gjithashtu ata që e akuzuan partinë se po qëndronte kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke pretenduar se qytetarët ishin ushqyer me pritshmëri që nuk garantoheshin nga ndryshimet ligjore. “Do ta kishit kuptuar me kohë, sikur në vend të vërsuljes ndaj LDK-së dhe shpalljes së saj si kundërshtare të UÇK-së, të dëgjonit çfarë po thonim.
Por kur beteja e vogël partiake bëhet më e rëndësishme se përpjekja kombëtare, kur hileqarët marrin zë e tregtarët e mendimit drejtojnë gishtin, kur askush s’guxon të thotë se ‘mbreti është lakuriq’, atëherë më e lehta është t’i vërsulesh arsyes – mes tradhtarëve që s’janë dhe patriotëve që shtiren”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Zogaj kritikon ashpër LDK-në: Po devijon rrugën e Rugovës, “Rrugët e reja” janë shndërruar në “rrugë qorre” Lidhur me këtë, një ndër themeluesit e LDK-së, Skender Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka shprehur kritika të ashpra ndaj zhvillimeve të fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke vlerësuar se partia ka devijuar nga rruga politike dhe ideologjike e themeluesit të saj, Ibrahim Rugova.
Skënder Zogaj “Para se të përgjigjem, po e ritheksoj se jam themelues i LDK-së dhe, pa asnjë mëdyshje, militant i kësaj partie! Mirëpo, kjo jo vetëm që nuk më pengon, por më obligon të them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, edhe atëherë kur ajo nuk u pëlqen bashkëpartiakëve të mi.
E vërteta është se LDK-ja, tash e 15 vjet, po rrokulliset nëpër rrathët e Purgatorit të Dantes, duke e devijuar deri në absurd rrugën e ideatorit dhe vizionarit të saj, dr. Ibrahim Rugova, e duke u katandisur në udhë të paudha, të pagëzuara, kinse, si «Rrugë të reja», të cilat sot po dëshmohet se janë, në të vërtetë, «rrugë qorre»!
Të verbëra i konsideroj jo vetëm deklaratat, por edhe veprimet skajshmërisht të padenja, të cilat nuk do të duhej të ndodhnin as në nëndegët më rurale të LDK-së. Ajo që po ndodh dëshmon për një çoroditje të pabesueshme politike e organizative.
Prandaj, është krejtësisht e natyrshme që, përballë kësaj gjendjeje, të shfaqen mospajtime, pakënaqësi e zhgënjime, madje edhe dorëheqje të zyrtarëve që nuk pajtohen me këtë degradim” , ka vlërësuar ai. Gjithashtu, ai ka kritikuar manovrimet e LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) lidhur me zgjedhjen e presidentit, të cilat përfunduan pa sukses.
“Deklarata e kreut të LDK-së se një aktgjykim nuk mund të zhbëhet përmes një votimi në Kuvend qëndron si argument juridik. Mirëpo, kjo nuk e justifikon aspak shkëputjen cinike të LDK-së nga përgjegjësia e saj politike, sidomos pas manovrimeve të fshehta me LVV-në rreth zgjedhjes së Presidentit.
Këto manovrime, të cilat në fillim u paraqitën si përpjekje serioze, përfunduan me një dështim të paralajmëruar, ashtu siç kishin vlerësuar që në fillim disa zëra brenda vetë LDK-së” , ka thënë ai.
Sipas Zogajt, LDK-ja nuk ka arritur të ndërtojë një qëndrim të qartë dhe bindës për Gjykatën Speciale, duke dështuar, të pasqyrojë përgjegjësinë historike dhe parimet politike që lidhen me trashëgiminë e Rugovës.
“Në raport me Gjykatën Speciale, LDK-ja ka dështuar politikisht dhe moralisht, sepse nuk arriti të artikulonte as një qëndrim të qartë e bindës dhe as të ndërmerrte një veprim që do të pasqyronte përgjegjësinë historike, integritetin politik dhe mendësinë e kauzës rugoviane.
Mungesa e një qëndrimi të tillë nuk mund të mbulohet me arsyetime juridike, as me deklarata të vonuara, të cilat nuk e zhbëjnë përgjegjësinë për veprimet dhe mosveprimet e deriatëhershme”, ka shtuar ai.
Në vlerësimin e tij, edhe pse nisma vinte nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), LDK-ja duhej të mbante një qëndrim të qartë dhe të merrte përgjegjësinë e saj politike, në vend që të shmangte vendimmarrjen. “Ndërkaq, mosvotimi i projektligjit për Gjykatën Speciale, në rrethanat e krijuara, ishte një akt politikisht i gabuar dhe i pajustifikueshëm.
Nisma vinte nga PDK-ja, prandaj përgjegjësia politike për të i takonte asaj. LDK-ja nuk kishte pse të fshihej pas hezitimit, as të kërkonte strehë në kalkulime të ngushta partiake.
Mosvotimi u shndërrua në një kapje pas fijes së kashtës, me shpresën për të nxjerrë ndonjë përfitim politik nga situata, por rezultati dëshmoi të kundërtën: një dështim politik, që e thelloi edhe më shumë krizën e besimit dhe e largoi partinë nga trashëgimia e saj rugoviane” , ka përfunduar Zogaj për “Bota sot”.
LDK-ja dhe rrugëtimi i saj drejt shtetit të pavarur të Kosovës Në anën tjetër, Xhevat Dajaku, vëllai ish-truprojës së presidentit Rugova, Besim Dajaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka mbrojtur qëndrimin e kryetarit të LDK-së lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale, duke pretenduar se partia është vazhdimisht cak i sulmeve politike dhe narrativave të rreme.
“LDK-ja kishte një qëllim që nga formimi i saj, e ai qëllim ishte ndërtimi i shtetit të pavarur të Kosovës, si shtet demokratik, i hapur, me politika euroatlantike dhe në miqësi me botën euroatlantike.
Xhevat Dajaku Por rrethanat, përgjegjësia, maturia, kujdesi, mundësitë dhe zhvillimet përgjatë rrugëtimit të saj shpesh e kanë bërë LDK-në tabelë qitjeje, pikërisht nga ata që nuk i gëzonin veçoritë e saj. Veprimet e tyre nuk ishin vetëm të dyshimta, por gati çuan edhe në vëllavrasje.
Edhe pse u vranë shumë njerëz të njërës anë, apo më mirë të themi, institucionalistë të devotshëm, nxitësit dhe urdhërdhënësit e vrasjeve nuk u ndëshkuan asnjëherë”, ka thënë ai. Në vijim, Dajaku ka përshkruar klimën politike të pasluftës, duke pretenduar se presionet, kërcënimet dhe dhuna ndaj përkrahësve të LDK-së krijuan një atmosferë frike dhe pasigurie.
“Duke e parë klimën jotolerante të pasluftës dhe sjelljen e ashpër të oponentëve agresivë, të cilët pushtetin e donin me çdo çmim, u hapën çantat e parave, sigurisht të vjedhura nga vendlindja, si dhe u përdor edhe fondi i Tre përqindëshit për të paguar kriminelë të pamëshirshëm, me qëllim të eliminimit të pengesave dhe të atyre që nuk mendonin si ata.
Frika, paniku dhe pasiguria mbretëronin gjithandej. Sulmoheshin ithtarët e LDK-së, shantazhoheshin, kërcënoheshin, vriteshin, rriheshin… Të mos i harrojmë as vjedhjen e provave dhe të dëshmive nga dhomat e sigurisë së lartë në Prishtinë. Kjo na tregon se krimi i organizuar kishte gisht në çdo pore të institucioneve relevante.
Prandaj, bashkësia ndërkombëtare, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, formoi Gjykatën e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë”, ka deklaruar ai. Duke u ndalur te Gjykata Speciale, Dajaku ka theksuar se ajo është institucion i Kosovës, me mandat për hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara që lidhen me periudhën e luftës.
“Gjykata e Dhomave të Specializuara në Hagë është gjykatë e Kosovës dhe institucion i pavarur, që ka mandat t’i hetojë dhe gjykojë krimet e pretenduara gjatë luftës, pra krimet brenda llojit.
Do të kishte qenë mirë që në bankën e të akuzuarve të ishte edhe hierarkia vrastare serbe, ndaj së cilës do të duhej të ngriheshin akuza për gjenocid, krime kundër njerëzimit, spastrim etnik, djegie brutale, vrasje masive, përdhunime masive e të tjera. Por kjo do të dukej absurde, sepse të gjithë të akuzuarit do ta kishin të njëjtin synim: viktimën e njëjtë, shqiptarët.
Është çudi se si nuk pati protesta kur iu dha çelësi Institutit për Hulumtimin dhe Përmbledhjen e Fakteve për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, përdhunimet, dëbimet dhe djegien e 45 për qind të Kosovës. Çudi që nuk pati protesta as për vrasjet e pasluftës”, ë shtë shprehur ai.
Ai ka pretenduar se LDK-ja është përballur vazhdimisht me paragjykime dhe goditje politike, ndërsa ka kritikuar edhe disa anëtarë të partisë që kanë dhënë dorëheqje, duke i lidhur këto veprime me interesat e karrierës personale.
“Pra, kryetari i LDK-së, me plot të drejtë, si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë moral e politik, ka të drejtë në deklarimin e tij në rrjetet sociale lidhur me aktgjykimin. LDK-ja ka kohë që paragjykohet nga elemente majtiste. Asaj ia vranë shumë figura dhe personalitete të rëndësishme, ndërsa vazhdojnë ta godasin sa herë që u jepet mundësia.
Kështu ndodhi edhe në rastin e fundit, përmes një narrative të rreme, me qëllim që të shpëtohen disa individë që, drejtpërdrejt ose tërthorazi, kishin gisht në krimet e kryera ndaj bashkëkombësve tanë, kryesisht shqiptarëve, siç u pasqyrua edhe në verdiktin e Gjykatës Speciale.
Kurse dorëheqjet e disa anëtarëve të LDK-së i shoh më shumë si parandjenja të tyre në funksion të karrierës personale. LDK-ja është e plagosur rëndë nga shumë faktorë, por dëmin më të madh e ka pësuar nga brenda, sidomos nga sabotimi i disa individëve në të kaluarën dhe nga prurja e njerëzve të pamerituar, të cilët më pas u bënë faktorë”, ka përfunduar Dajaku për “Bota sot”.
