Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimin e Gazetës Sinjali për tragjedinë në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku dy persona, një burrë dhe një grua, rreth 30-vjeçarë, dyshohet se janë vrarë nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se i dyshuari për rastin është Valon Ramushi, i cili, sipas njoftimit zyrtar të Policisë, është vetëdorëzuar. Sipas Policisë, rasti është raportuar sot, më 9 tetor, rreth orës , në Stacionin Policor në Gjilan.
Njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë intervenuar edhe dy prokurorë të Shtetit dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan. Viktima e parë, një burrë rreth 30-vjeçar, është gjetur pa shenja jete brenda një veture, ndërsa një grua e së njëjtës moshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan.
Sipas Policisë, dyshohet se të dy janë qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person. Ndërkohë, një person tjetër që ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pasi ka marrë ndihmën e parë në Emergjencën e Spitalit të Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast. Sipas informatave fillestare, mes të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Megjithatë, motivi që çoi deri te kjo ngjarje ende nuk dihet.
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë relevante hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave, përcaktimin e motivit dhe dokumentimin e rastit.
Ekskluzive | Ky është i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Gjilan –dyshohet se vrau gruan në veturë dhe mikun, plagosi mikun tjetër Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
