Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka ndezur një debat të ashpër publik me ish-mesfushorin e Tottenhamit, Rafael van der Vaart, duke dalë në mbrojtje të ish-kapitenit të tij, Virgil van Dijk. Përplasja nisi pasi Van der Vaart, i cili po punon si analist për televizionin holandez NOS gjatë Botërorit, kritikoi ashpër lëvizjet e Van Dijkut në barazimin e Holandës ndaj Japonisë.
“Më duhet të them sinqerisht se u trondita pak nga Van Dijk. Ato lëvizje… ishte pak si një Boeing 747” , deklaroi Van der Vaart, duke shtuar se shpresonte që mbrojtësi të vraponte më shpejt në vazhdim të turneut. I ftuar në një televizion gjerman të shtunën, Klopp nuk ka hezituar t’i kundërpërgjigjet holandezit, duke i quajtur analizat e tij të parëndësishme.
“Nuk e di nëse ia vlen fare t’i përmendet emri Rafael van der Vaartit. Por, nëse ai thotë ndonjëherë diçka pozitive për ndonjë lojtar, unë jam i gatshëm ta marr sërish seriozisht. Krijon përshtypjen sikur ai sheh diçka të thjeshtë, por mundohet ta zmadhojë e ta thotë me fjalë të bukura e me metafora vetëm për të kritikuar.
Sidoqoftë, mendimi i tij nuk është aq i rëndësishëm”, u shpreh Klopp sipas raportimit të Daily Mail. Van Dijk ka luajtur nën urdhrat e Kloppit te Liverpooli për gjashtë vite, periudhë gjatë së cilës fituan tetë trofe të mëdhenj.
Përveç këtij debati, Daily Mail raporton se Van der Vaart u përfshi në polemika të mëdha racizmi gjatë të njëjtit emision, pasi deklaroi në transmetim direkt se lojtarët e Japonisë “duken të gjithë njësoj”, për çka më vonë kërkoi falje duke thënë se nuk kishte qëllim të diskriminonte askënd.
