Boshnjaku Fuad Muzoroviq është trajneri që shkroi historinë e artë të Prishtinës sa i përket pikëve dhe renditjes më të mirë që e arriti në Ligën e Parë të ish Jugosllavisë. Në edicionin e parë 1983-1984, nën drejtimin e Muzuroviqit Prishtina u rendit në vend të tetë me 33 pikë të mbledhura.
Mos të harrojmë faktin se hungarezi Bella Pallfi është arkitekti i suksesit të Prishtinës e cila e kishte siguruar hyrjen në elitën e futbollit ish Yu. Muzoroviq, para disa viteve kishte zbuluar një detaj interesant, gjithnjë duke iu referuar portalit boshnjak “Klix”, ku thuhej se Veselinoviq nuk e donte Fadil Vokrrin.
Ish-përzgjedhësi i Bosnje e Hercegovinës, Muzuroviq, kishte treguar se pas vetëm disa muajsh pune të përbashkët te KF Prishtina, i kishte sugjeruar përzgjedhësit të atëhershëm të ish Yu, Toza Veselinoviq, që ta ftonte Fadil Vokrri në reprezentacionin A. Megjithatë, Veselinoviqi nuk e mori atë vendim në atë kohë.
Pavarësisht kësaj, Vokrri arriti më vonë të realizojë ëndrrën e tij sportive, duke u bërë futbollisti i parë nga Kosova që veshi fanellën e reprezentacionit A të ish Yu. Nga ana tjetër, trajneri që ka mbetur në zemrën e dashamirëve të futbollit të gjeneratës së artë të Prishtinë është kroati i famshëm, Mirosllav Çiro Blla;zheviq, i cili e drejtoi Prishtinën në pranverën e vitit 1985.
Trajneri i parë e i vetmi shqiptar që drejtoi Prishtinën në elitën e futbollit ish Yu, është Ajet Shosholli (nëntor 1984 e deri në mars 1985)..
