Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, mund të transferohet te Real Madridi si lojtar i lirë në fund të këtij sezoni, raporton gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”, përcjell “Gazeta Express”.
Mbrojtësi holandez, 35 vjeç, ende nuk e ka marrë një ofertë për vazhdimin e kontratës nga drejtuesit e Liverpoolit, çka i ka shtuar dyshimet se aventura e tij në “Anfield” mund të përfundojë së shpejti. Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, mund ta mirëpresë në mbrojtje një tjetër ish-lojtar të Liverpoolit.
“Los Blancos” tashmë i kanë në skuadër ish-shokët e skuadrës së Van Dijkut, Trent Alexander-Arnold dhe Ibrahima Konaté, të cilët gjithashtu iu bashkuan Realit si lojtarë të lirë pas përfundimit të kontratave me klubin anglez. Sipas raportimeve, Mourinho e ka dhënë miratimin e tij për një transferim të mundshëm të Van Dijkut.
Megjithatë, Real Madridi nuk është klubi i vetëm që po e monitoron situatën e mbrojtësit holandez. Në garë për të raportohet se janë edhe Milani, Galatasaray dhe Inter Miami. Van Dijk iu bashkua Liverpoolit në vitin 2018 dhe e ka luajtur një rol të rëndësishëm në sukseset e klubit gjatë viteve të fundit.
Me fanellën e “Reds”, ai i ka fituar ndër të tjera Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube, si dhe trofe të rëndësishëm në Angli, përfshirë këtu edhe Premierligën. Kontrata aktuale e Van Dijkut me Liverpoolin përfundon në verën e vitit 2027, ndërsa deri tani nuk raportohet për një ofertë rinovimi nga klubi anglez..
