Kosova në ciklin e krizave politike dhe institucionale

0%

Kosova po hyn sërish në ditët kur politika nuk mund të fshihet pas deklaratave, akuzave dhe kalkulimeve partiake. Afatet institucionale nuk presin, ndërsa vendi ndodhet përballë një tjetër prove politike. Në këtë moment, pyetja nuk është vetëm kush ka të drejtë dhe kush ka gabuar.

Pyetja më e madhe është kush është i gatshëm të thotë “po” për një zgjidhje? sepse të thuash “jo” është e lehtë. “Jo” mund të thuhet në konferencë për media, në sallën e Kuvendit, në një deklaratë partiake apo në një postim politik. Por pas çdo jo-je qytetarët kanë të drejtë të pyesin, po, cila është rruga juaj për të dalë nga kriza? Kjo është pyetja që politika nuk duhet ta shmangë.

Kosova nuk mund të mbetet përgjithmonë në një cikël ku një krizë prodhon një tjetër, një bllokim pasohet nga një përplasje e re dhe çdo dështim shoqërohet me kërkimin e një fajtori të radhës. Nëse vazhdojmë kështu, rrezikojmë që kriza të mos jetë më përjashtim, por të bëhet mënyrë e funksionimit politik, dhe kjo është shumë më e rrezikshme se vetë një mosmarrëveshje politike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Demokracia ka nevojë për kundërshtim. Opozita ka të drejtë të thotë “jo”. Deputetët kanë të drejtë të mos pajtohen. Partitë kanë të drejtë të mbrojnë qëndrimet e tyre. Por demokracia ka nevojë edhe për një aftësi tjetër, aftësinë për të gjetur një pikë takimi kur interesat përplasen. Pikërisht këtu matet përgjegjësia politike, pushteti duhet të tregojë gatishmëri për dialog dhe kompromis.

Opozita duhet të kundërshtojë me argumente, por edhe të ofrojë alternativa. Deputetët duhet ta kuptojnë se vota e tyre nuk është vetëm një qëndrim partiak, por edhe një përgjegjësi institucionale. Nuk mjafton të thuash unë nuk jam fajtor, pyetja duhet të jetë çfarë po bëj unë që kriza të marrë fund? Sepse shteti nuk funksionon me fajësime.

Shteti funksionon me institucione, vendime dhe përgjegjësi. Kosova ka kaluar dhe po përballet vazhdimisht me momente kur përplasjet politike rrezikojnë të prodhojnë bllokime institucionale. Problemi nuk është vetëm kriza e sotme. Problemi është mundësia që nesër të vijë një krizë tjetër me të njëjtën logjikë.

Prandaj, duhet thyer cikli i krizave, nuk mund të ndërtohet një shtet funksional nëse çdo mosmarrëveshje shndërrohet në betejë për dominim politik. Nuk mund të kërkohet stabilitet institucional, ndërsa kompromisi trajtohet si dobësi. Dhe nuk mund të kërkohet përgjegjësi nga qytetarët, ndërsa politika refuzon të marrë përgjegjësinë e saj.

Kompromisi nuk është kapitullim, në demokraci, kompromisi mund të jetë pikërisht mënyra për të mbrojtur institucionin kur palët nuk pajtohen për gjithçka. Kjo nuk do të thotë që dallimet politike duhet të zhduken. Përkundrazi, ato janë pjesë e demokracisë. Por dallimet nuk duhet të shndërrohen në pengesë për funksionimin e shtetit.

Sot Kosova ka nevojë për më pak retorikë dhe më shumë përgjegjësi. Më pak akuza dhe më shumë dialog. Më pak kërkim të fajtorit dhe më shumë kërkim të rrugëdaljes. Sepse qytetari nuk pyet vetëm se kush e fitoi debatin televiziv.

Qytetari pyet a funksionon shteti? dhe kjo duhet të jetë pyetja që i ndjek të gjitha partitë, të gjitha grupet parlamentare dhe çdo deputet që merr një vendim në emër të qytetarëve. Në fund, historia nuk do të mbajë mend vetëm sa herë politika tha “jo”.

Do të mbajë mend edhe nëse, në momentin vendimtar, dikush pati guximin politik të thoshte po, le të ulemi, po, le të bisedojmë. po, le ta gjejmë një zgjidhje, sepse Kosova nuk ka nevojë për një tjetër rreth të mbyllur krizash. Ka nevojë për një pikë kthese, dhe pikërisht këtu qëndron pyetja, kur të gjithë thonë “jo”, kush do të thotë “po”?

Burimi: Bota Sot