Raphinha do të rikthehet në Barcelonë për t’u rikuperuar nga një dëmtim i lehtë muskulor, pasi është liruar nga grumbullimi i Brazilit para miqësores ndaj Indisë. Anësori i Barcelonës pësoi shqetësim në pjesën e pasme të kofshës së djathtë gjatë miqësores së Brazilit kundër Australisë.
Raphinha luajti vetëm 45 minutat e para të ndeshjes, madje shënoi edhe nga penalltia, por nuk u rikthye në fushë në pjesën e dytë. Testet mjekësore të kryera të mërkurën konfirmuan se 29-vjeçari ka një edemë të vogël muskulore në pjesën e pasme të kofshës së djathtë.
“Raphinha iu nënshtrua testeve të imazherisë këtë të mërkurën, të cilat zbuluan një edemë të vogël muskulore në pjesën e prapme të kofshës së djathtë. Si masë paraprake dhe me qëllim që të arrihet një rikuperim i shpejtë, lojtari do të lirohet nga ekipi kombëtar brazilian.
Asnjë atlet tjetër nuk do të thirret në vend të tij për ndeshjen miqësore kundër Indisë ”, thuhet në njoftimin e Konfederatës Braziliane të Futbollit. Raphinha pritet të kthehet në Barcelonë gjatë orëve në vijim, ku do të vazhdojë rikuperimin nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të klubit.
Dëmtimi ka shqetësuar Barcelonën, pasi pjesa e pasme e kofshës së djathtë ka qenë një zonë problematike për brazilianin. Sezonin e kaluar, Raphinha humbi 26 ndeshje për shkak të problemeve të ndryshme në këtë zonë. Raphinha është një prej lojtarëve kryesorë të Barcelonës këtë sezon dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës me 14 gola.
Ky është rikthimi i dytë i parakohshëm i një lojtari të Barcelonës gjatë këtij grumbullimi ndërkombëtar, pasi edhe Eric Garcia u kthye në klub pas një edeme në gju.
