Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e kufizimit të eksporteve amerikane të naftës, në një përpjekje për të rritur furnizimin me karburant në tregun vendas dhe për të frenuar rritjen e çmimeve. Çështja është bërë pjesë e diskutimeve në Shtëpinë e Bardhë, ku sipas “Financial Times”, presidentit amerikan i janë paraqitur disa alternativa për ndërhyrje.
Megjithatë, deri tani nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Sipas të dhënave të raportuara, çmimi i naftës në SHBA ka arritur në 6.53 dollarë për gallon, më shumë se 70% mbi nivelet e regjistruara përpara luftës me Iranin. Në favor të një ndërhyrjeje janë shprehur disa republikanë, mes tyre senatori i Iowa-s, Chuck Grassley.
Mbështetësit e kësaj mase shqetësohen veçanërisht për ndikimin e rritjes së çmimeve te fermerët dhe kompanitë e transportit. Në anën tjetër, kompanitë e mëdha të naftës janë kundër një ndalimi apo kufizimi të eksporteve.
Sipas raportimeve, kundër kësaj mase janë shprehur gjithashtu sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, sekretari i Brendshëm, Doug Burgum, dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent. Një nga shqetësimet kryesore të administratës lidhet me mundësinë që kufizimi i eksporteve të sjellë pasoja të kundërta në disa rajone të SHBA-së.
Zonat që varen më shumë nga karburantet e importuara mund të përballen me rritje të mëtejshme të çmimeve nëse furnizimet ndërkombëtare kufizohen.
