Një operacion i përbashkët i forcave operacionale të Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë ka çuar në arrestimin e 34-vjeçarit nga Elbasani, Elvis Koçi alias Elvis Çaushllari, i njohur ndryshe si “Vis Korçari”. Sipas burimeve, efektivët e policisë kishin kohë që e ndiqnin dhe e kanë lokalizuar gjatë ditës së djeshme në Ksamil.
Rreth orës është organizuar operacioni për kapjen e tij, ku kanë marrë pjesë edhe agjentë civilë të sektorit të Krimeve në Sarandë. Mësohet se sapo ka konstatuar praninë e policisë, Çaushllari ka tentuar t’i shmanget arrestimit duke kryer manovra të rrezikshme me automjetin e tij. Gjatë largimit ai ka përplasur dy automjete civile të policisë dhe ka mundur të çajë rrethimin fillestar.
Menjëherë pas ngjarjes është organizuar ndjekja, ndërsa nga Saranda janë angazhuar edhe forca të FNSH-së. Pas rreth 30 minutash kërkime, 34-vjeçari është lokalizuar nga agjentët e Krimeve pranë një biznesi privat në aksin rrugor Ksamil–Butrint, ku edhe është vënë në pranga.
Policia ka sekuestruar gjithashtu automjetin me të cilin lëvizte, i cili rezulton i regjistruar në emër të vëllait të tij. Ende nuk ka një informacion zyrtar mbi arsyet e ndalimit të Elvis Çaushllarit, por burime jozyrtare bëjnë me dije se ai mund të kërkohej për ekzekutimin e një vendimi të dhënë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Elvis Çaushllari është një emër i njohur për drejtësinë, i përfolur për përfshirje në përplasjet e grupeve kriminale në Elbasan. Ai u arrestua në vitin 2022 nga SPAK në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, ndërsa u lirua rreth një vit më vonë. Autoritetet pritet të dalin me një njoftim zyrtar për detajet e plota të operacionit dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Njoftimi i Policisë Sarandë Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast” për kapjen e një personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Në vijim të punës intensive hetimore dhe operacionale për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara dhe përdorimin e metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fast”, u bë i mundur lokalizimi në qendër të Ksamilit, në një automjet tip “Audi”, kapja dhe arrestimi i shtetasit E.
K. (Ç.), 34 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë në qytetin e Elbasanit. Në momentin e ndërhyrjes, ky shtetas ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, ndërsa atij i kanë mbetur për të vuajtur 2 vjet, 9 muaj dhe 9 ditë burgim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme
