Shpërthejnë debatet

0%

Futbollisti belg Jéremy Doku ka deklaruar se është i gatshëm të largohet nga grumbullimi i Kombëtares së Belgjikës për të qenë pranë partneres së tij, në momentin e lindjes së fëmijës së tyre të parë.

Sulmuesi anësor, i cili aktivizohet me Manchester City, theksoi se asnjë baba nuk duhet të humbasë një ngjarje kaq të rëndësishme në jetën e tij dhe se shpreson në mirëkuptimin e Federatës Belge. Doku u shpreh se lindja e një fëmije është një moment unik dhe i pazëvendësueshëm për çdo familje.

Ai shtoi se Federata e mbështet situatën e lojtarëve dhe se vendimi përfundimtar do të varet nga zhvillimet e ditëve në vijim. Futbollisti belg ndodhet në një periudhë të rëndësishme edhe në aspektin profesional, pasi së fundmi ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës së tij me Manchester City deri në vitin 2031.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, deklaratat e tij kanë shkaktuar debat të madh në Belgjikë dhe veçanërisht në Francë. Gazetarja e njohur sportive France Pierron kritikoi ashpër mundësinë që Doku të largohej nga një turne kaq i rëndësishëm si Kupa e Botës për të marrë pjesë në lindjen e fëmijës.

Sipas saj, pjesëmarrja në një Botëror është një privilegj që mund të mos përsëritet më në karrierën e një futbollisti dhe shumë lojtarë do të bënin gjithçka për të qenë në atë pozicion. Komentet e saj ngjallën reagime të menjëhershme në studion e emisionit sportiv “L’Equipe de Choc”, ku disa të ftuar dolën në mbrojtje të futbollistit belg.

Mes tyre ishte edhe kampioni olimpik i boksit Brahim Asloum, si dhe komentatori sportiv Yoann Riou. Ata argumentuan se lindja e një fëmije është një nga momentet më të rëndësishme në jetën e një çifti dhe se askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes familjes dhe profesionit. Ndërkohë, Doku do të mungojë në ndeshjen e radhës së Belgjikës kundër Iranit për shkak të një problemi fizik.

Ende nuk dihet nëse ai do të jetë i gatshëm për sfidën pasuese, pasi gjithçka do të varet nga rikuperimi i tij dhe nga momenti i lindjes së fëmijës. Për lojtarin belg, familja mbetet prioritet dhe ai është i vendosur të jetë pranë partneres në një nga ditët më të rëndësishme të jetës së tyre.

Burimi: Bota Sot