OVL e UÇK-së: Fati i të zhdukurve të mos jetë peng i heshtjes dhe

0%

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një komunikate është shprehur se fati për gjetjen e të zhdukurve nuk duhet mbajtur kurrë peng i heshtjes, i llogaritjeve politike apo i shpërfilljes institucionale.

“Nderojmë çdo njeri që u zhduk gjatë luftës së drejtë çlirimtare të Kosovës dhe qëndrojmë të palëkundur përkrah familjeve të tyre, pritja e të cilave për të vërtetën ka zgjatur tashmë tepër”- thuhet në komunikatë. OVL thekson se Serbia i mban arkivat dhe përgjigjet. “Ajo duhet t’i hapë ato dhe institucionet ndërkombëtare duhet ta detyrojnë ta bëjë këtë”.

“Kërkojmë të vërtetën, llogaridhënien dhe drejtësinë. Asgjë më pak. Familjet e tyre nuk do të mbeten kurrë vetëm”, shtoi më tej OVL e UÇK-së. Krerë të qeverisë e misione diplomatike shënuan këtë ditë tek monumenti për personat e zhdukur me dhunë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu bënë thirrje që Serbia të hap arkivat për lokacionet e varreve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Nëse hapen ato arkiva, atëherë dihet se kush i ka dhënë urdhrat, kush i ka zbatuar urdhrat dhe ku janë trupat e personave të cilët ishin varrosur pasi që ishin vrarë — prandaj në këtë rast edhe një herë bëj thirrje që Serbia të hapë arkivat”, deklaroi Haxhiu.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, tha se me gjithë ‘përparimin e konsiderueshëm’, shumë persona vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e mosdijes për fatin e tyre. “Çështja e personave të zhdukur nuk duhet kurrë të politizohet.

Përparimi domethënës varet nga bashkëpunimi, besimi dhe angazhimi i përbashkët për t’iu dhënë familjeve përgjigjet që meritojnë.”- citohet të ketë thënë Due, përmes një komunikate të UNMIK-ut. Në muajin e fundit janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Derisa, mbi 1,500 persona vazhdojnë të figurojnë në listën e personave të zhdukur gjatë luftës.

Burimi: Kallxo