Liverpooli është në kërkim të një tjetër anësori, pasi ka siguruar transferimin e Bradley Barcolas nga Paris Saint-Germain, ndërsa sulmuesi i Crystal Palace, Ismaila Sarr, është një nga opsionet që klubi ka shqyrtuar.
Pas një vere të lodhshme negociatash, Liverpooli ka arritur marrëveshje në parim për një transferim spektakolar prej 120 milionë funteve për Barcolan e PSG-së. 23-vjeçari ka kryer testet mjekësore në Anfield, përpara se të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare. Barcola ishte objektivi kryesor i Andoni Iraolas për të zëvendësuar Mohamed Salahun, i cili ka shërbyer për shumë vite te klubi.
Tani që më në fund e kanë siguruar lojtarin që dëshironin, të kuqtë mund t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre diku tjetër. Të shtunën në mbrëmje, pak pas barazimit 2-2 ndaj Nottingham Forest, u bë e ditur se anësori Cody Gakpo është pranë një transferimi spektakolar prej 85 milionë funtesh te Manchester City, pasi kishte refuzuar interesimin e Tottenham Hotspur.
Gakpo, i cili asistoi Alexander Isakun në barazimin ndaj Forest, ka arritur marrëveshje personale për transferimin në Etihad Stadium, por nuk mund të largohet zyrtarisht nga Merseyside derisa Liverpooli të sigurojë një zëvendësues. Të kuqtë panë dy oferta prej 50 dhe 60 milionë funtesh të refuzuara nga Brighton & Hove Albion për sulmuesin Yankuba Minteh në fillim të kësaj jave.
Negociatat u ndërprenë pasi “pulëbardhat” kërkuan 80 milionë funte për 22-vjeçarin. Një situatë e ngjashme është zhvilluar edhe në ndjekjen e anësorit të Crystal Palace, Ismaila Sarr. “Shqiponjat” kanë refuzuar dy oferta për 28-vjeçarin, e para prej 50 milionë funtesh, por thuhet se marrëveshja tashmë është duke “përparuar”.
Në fakt, gazetari dhe eksperti i futbollit afrikan, Lamine Camara, i cili ka grumbulluar mbi 100 mijë ndjekës në Facebook dhe X, ka zbuluar se Liverpooli do të paraqesë një ofertë të re për Sarrin brenda 48 orëve të ardhshme.
Camara beson se propozimi i radhës do të jetë mes 75 milionë eurove (64 milionë funte) dhe 80 milionë eurove (68 milionë funte), gjë që do ta bënte atë futbollistin senegalez më të shtrenjtë në historinë e futbollit anglez.
Shifra që po përflitet për reprezentuesin e Senegalit tregon se të kuqtë janë bërë të dëshpëruar për të siguruar një sulmues përpara mbylljes së afatit kalimtar më 1 shtator. Ndërkohë, Palace, duke refuzuar ofertën fillestare, e di këtë situatë dhe mund të kërkojë edhe më shumë para.
Sarr shënoi mbi 20 gola në të gjitha garat për Palace sezonin e kaluar, duke ndihmuar skuadrën të fitonte Ligën e Konferencës. Një shumë mbi 60 milionë funte për një lojtar që mbush 29 vjeç në shkurt mund të konsiderohet një investim i dobët për Liverpoolin, pasi ka pak gjasa që klubi të arrijë ta rikuperojë ndonjëherë shumën e paguar.
Por ajo që ai mund t’i ofrojë sulmit të Iraolas në afat të shkurtër, përfshirë shpejtësinë shpërthyese, fuqinë dhe aftësinë për të finalizuar aksionet, është pikërisht ajo që kërkon trajneri spanjoll.
Sarr gjithashtu mund të luajë në disa pozicione në vijën e parë të sulmit, duke dëshmuar gjatë kohës së tij në Selhurst Park se mund të aktivizohet në të dy krahët, por edhe si sulmues qendror. Për këtë arsye, një transferim në “Anfield” mund të realizohet në fazat e fundit të afatit kalimtar, duke i hapur rrugën Gakpos për t’iu bashkuar Manchester Cityt.
Pas barazimit 2-2 ndaj Forest, Iraola foli për aktivitetin e të kuqve në merkato, duke konfirmuar se prapa skenave po ndodhin gjëra. “Për momentin nuk mund t’ju them asgjë, por është e vërtetë se ka gjëra që po ndodhin dhe kjo është normale”, tha ai. “Jemi në javët e fundit të merkatos dhe tani duhet të presim për të parë se çfarë skuadre do të kemi më 2 shtator, dhe kjo është ajo që jemi.
Më pas do të punojmë me gjëra të sigurta. Tani gjithçka është mjaft e pasigurt dhe e njëjta gjë vlen për çdo ekip. Por kështu funksionon gara. Prandaj, tani duhet të presim edhe disa ditë dhe të punojmë me atë që kemi pasi të mbyllet merkatoja”, e mbylli ai.
