Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur përditësimin e situatës së zjarreve në vend, referuar të dhënave operacionale të orës të 30 gushtit. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 të tjera mbahen nën mbikëqyrje.
Vatrat aktive janë evidentuar në Dajt në Tiranë, si dhe në Vajkal, Sllatinë, Lundre dhe Ballenjë në qarkun Dibër dhe në Rrilë të qarkut Lezhë. Sipas autoriteteve, në asnjërën prej këtyre zonave nuk raportohet rrezik për banesat apo zonat e banuara.
Angazhimi më i madh i forcave vijon në Sllatinë, ku operojnë 91 efektivë, ndërsa në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Në Lundre të Matit, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve në masivin pyjor, të favorizuar nga era, është aktivizuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Ndërkohë, në Ballenjë të Martaneshit, ndërhyrja po vështirësohet nga terreni, pasi zjarri ndodhet në një zonë të mbrojtur. Në total, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 173 forca operacionale, 16 automjete zjarrfikëse, 50 forca ushtarake dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Ndërkohë, vatrat në Qafë të Helmës, malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Autoritetet deklarojnë se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
