Historia e Rafael Leaos me Milanin ka marrë fund. Klubi kuqezi ka konfirmuar zyrtarisht të dielën largimin e sulmuesit portugez, i cili është transferuar përfundimisht te Galatasaray. Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare, Milani bëri të ditur se marrëveshja është mbyllur në formë permanente.
“Klubi njofton transferimin përfundimtar të lojtarit Rafael Alexandre da Conceicao Leao te Galatasaray i Turqisë”, thuhet në komunikatën e Milanit. Kuqezinjtë e falënderuan 27-vjeçarin për profesionalizmin dhe pasionin e treguar gjatë shtatë sezoneve të kaluara në klub.
Gjatë kësaj periudhe, Leao ishte pjesë e skuadrës që fitoi titullin e Serie A në sezonin 2021/22, si dhe Superkupën e Italisë në vitin 2024. Milani i uroi gjithashtu suksese portugezit në vazhdimin e karrierës, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal.
Galatasaray paguan 43 milionë euro plus bonuse “Sky Sport Italia” kishte zbuluar më herët edhe detajet financiare të marrëveshjes. Galatasaray do t’i paguajë Milanit 43 milionë euro si shumë fikse, ndërsa edhe 2 milionë euro të tjera mund të shtohen përmes bonuseve dhe variablave. Milani ka ruajtur gjithashtu 20 për qind të fitimit nga një shitje e ardhshme e Leaos.
Me këtë transferim, përfundon një kapitull i rëndësishëm për portugezin në “San Siro”, ndërsa Galatasaray siguron një nga përforcimet më të bujshme të verës.
