Roger Federer është përfshirë nga emocionet dhe është përlotur disa herë gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hyrjes në International Tennis Hall of Fame në Newport, Rhode Island. Legjenda zvicerane e tenisit, e cila u bë anëtari i 274-t i Hall of Fame, u prezantua nga bashkëshortja e tij, Mirka Federer.
Menjëherë pasi u ngjit në skenë, Federer e përqafoi dhe e puthi bashkëshorten, para se të përballej me emocionet e një momenti të veçantë në karrierën e tij.
Federer, i cili fitoi 20 tituj Grand Slam gjatë karrierës, u përlot kur foli për heroin e tij të fëmijërisë, Stefan Edberg, trajnerin e tij të gjatë Severin Lüthi dhe veçanërisht kur falënderoi Mirkan për mbështetjen gjatë gjithë rrugëtimit të tij. “Jam shumë i lumtur që e bëra këtë rrugëtim. Është e mahnitshme ta shohësh veten në një vend si ky.
Të zhytesh në historinë e këtij sporti do të thotë shumë për mua.” Gjatë pjesës së fjalimit ku foli për Mirkan, Federer nuk arriti t’i përmbante lotët dhe u detyrua të ndalonte për disa momente. “Tani është pjesa për Mirkan. Oh Zot, kjo është një rrëmujë e madhe.
Më duhen letra dhe syze dielli, gjithçka për të më mbrojtur tani.” 45-vjeçari e mbylli fjalimin duke falënderuar të gjithë ata që kanë qenë pjesë e karrierës së tij, përfshirë edhe fëmijët që mbledhin topat në ndeshjet e tenisit, ndërsa u bëri thirrje lojtarëve të rinj që ta çojnë sportin në nivele edhe më të larta.
Federer ka fituar 20 Grand Slam, përfshirë tetë tituj në Wimbledon, gjashtë Australian Open dhe një Roland Garros. Ai është një prej vetëm tetë tenistëve meshkuj që kanë kompletuar Grand Slamin në karrierë dhe qëndroi për 237 javë radhazi në vendin e parë të renditjes botërore ATP.
Në të njëjtën ceremoni, në International Tennis Hall of Fame u përfshi edhe Mary Carillo, ish-teniste dhe një prej figurave të njohura të gazetarisë sportive amerikane.
