Një 37-vjeçar ka humbur jetën dhe pesë persona të tjerë janë helmuar nga monoksidi i karbonit në një kasolle malore në veri të Italisë. Ngjarja ndodhi gjatë natës në zonën e Buscagna, në Luginën Devero, në komunën e Bacenos, në provincën Verbano-Cusio-Ossola, pranë kufirit me Zvicrën.
Në kasolle ndodheshin gjashtë barinj kur, për arsye që ende nuk janë përcaktuar, monoksidi i karbonit u grumbullua në ambientet e saj. Një prej tyre, 37 vjeç, nuk mundi të mbijetonte. Mes pesë personave të tjerë të helmuar është edhe një 19-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje kritike. Ai u transportua me helikopter drejt Spitalit Niguarda në Milano për të marrë trajtim të specializuar.
Dy burra të tjerë, të dy 62 vjeç, u evakuuan me helikopter dhe u dërguan në Spitalin e Novarës. Gjendja e tyre është klasifikuar si e verdhë. Ngjarja ndodhi në një zonë malore të vështirë për t’u aksesuar, duke bërë që ekipet e emergjencës të ndërhynin me mjete ajrore.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar se si është shkaktuar rrjedhja apo grumbullimi i monoksidit të karbonit në kasolle. Hetuesit po punojnë për të zbardhur rrethanat e sakta të ngjarjes dhe për të përcaktuar burimin e gazit.
