Një 52-vjeçar nga Tetova, me inicialet T. M., ka humbur jetën të enjten në një aksident të rëndë në një kantier ndërtimi në Oranienburg të Gjermanisë. Sipas informacioneve të bëra të ditura nga të afërmit e të ndjerit, 52-vjeçari ka rënë nga skelet prej katit të katërt, duke pësuar lëndime të rënda. Ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Lajmi për aksidentin fatal ka zënë vend edhe në mediat gjermane, të cilat raportojnë se pas ngjarjes kanë nisur hetimet lidhur me rrethanat e aksidentit.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, autoritetet po hetojnë edhe kushtet e punës në kantier, përkatësisht nëse kompania që drejtonte punimet kishte përmbushur të gjitha detyrimet për mbrojtjen dhe sigurinë e punëtorëve në vendin e punës. Hetimet pritet të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave të sakta që çuan në aksidentin me fatalitet.
Për varrimin e të ndjerit do të ketë njoftim shtesë.
