Një aheng familjar në Prishtinë ka marrë vëmendjen e Policisë të shtunën mbrëma, pasi në zonë janë dëgjuar të shtëna me armë, raporton ekskluzivisht Sinjali. Ngjarja ka ndodhur më 29 gusht, rreth orës , në rrugën “Osumi” në Prishtinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se personi i dyshuar është Fuad Berisha , 23-vjeçar, i cili është identifikuar pasi njësitë policore intervenuan në lokacion. Policia fillimisht kishte pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri. Me të mbërritur në vendngjarje, zyrtarët policorë kanë konstatuar se aty po zhvillohej një aheng familjar.
Gjatë kontrollit të zonës janë gjetur disa gëzhoja, si dhe një armë me gaz. Hetimet e para kanë çuar te Berisha, i cili, sipas informacioneve që ka Sinjali, ka pranuar se kishte shtënë me armë dhe ka deklaruar se arma ishte në pronësi të tij. 23-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Në vendngjarje kanë dalë edhe Njësia e Hetimeve dhe Forenzika, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe procedurat përkatëse. Si prova materiale, Policia ka sekuestruar armën, një karikator dhe 31 gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit të mëtejmë.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që ndaj 23-vjeçarit të iniciohen rastet për “Përdorim të armës” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Pas përfundimit të intervistimit dhe procedurave policore, Berisha është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
