​Çfarë po ndodh me Trepçën? Për situatën flasin analisti,

0%

Situata te Klubi i Futbollit Trepça vazhdon të jetë shqetësuese, pas një varg zhvillimesh të fundit që kanë përfshirë largimin e sponsorëve, dorëheqjet e disa anëtarëve të stafit teknik dhe largimin e disa futbollistëve. Në anën tjetër, në Mitrovicë është rikthyer edhe diskutimi për një ndryshim të mundshëm në strukturat drejtuese të klubit.

Jozyrtarisht është raportuar për një mundësi të rikthimit të biznesmenit Avdi Berisha në strukturat e klubit, i cili kishte drejtuar Trepçën deri në vitin 2004 dhe kishte pasur rol në shpëtimin e klubit nga shuarja në periudhën 2000/01.

Në ditët e fundit, drejtuesit e Trepçës janë takuar edhe me përfaqësues të familjes Berisha, të cilët kanë prezantuar një ofertë nga investitorë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për marrjen e klubit. Për klubin mitrovicas është raportuar interesim edhe nga biznesmenë turq dhe një investitor shqiptar nga Kroacia.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkohë për situatën aktuale kanë folur për KosovaPress analisti dhe trajnerin Bylbyl Sokoli, ish-lojtarët e klubit, si dhe tifozët e Trepçës, “Torcida”. Analisti dhe trajneri Bylbyl Sokoli ka kërkuar që familjet Berisha dhe Haxhiu të ulen në një tavolinë dhe të gjejnë një zgjidhje për të ardhmen e klubit.

Sokoli: Nëse bashkohen familjet Berisha e Haxhiu, rezultatet nuk do të mungojnë “Një klub për me organizuar nevojitet shumë njerëz, dhe unë jam i sigurt që të dy pretendentët apo, sepse dje pata informata që do të takohet një përfaqësues i familjes Berisha dhe familjes Haxhiu, të dy këto familje që kanë kontribuar, aktualisht me klubin menaxhon familja Haxhiu, që i jashtëzakonisht ka kontribut të madh për ekzistencën e këtij klubi.

Dhe këto dy familje duhet të ulen bashkë. Unë mendoj që interesi i tyre duhet të jetë suksesi i Trepçës, asesi me menduar se cilat janë kompetencat e njërës apo palës tjetër. Ajo që unë mundem me thënë si trajner apo si dashamir i futbollit është që unë i sigurt jam që nëse bashkohen këto dy familje, rezultatet nuk do të mungojnë”, tha Sokoli.

Ish-lojtari i KF Trepçës, Gani Sejdiu, e ka vlerësuar situatën aktuale si shumë shqetësuese, duke theksuar se largimi i lojtarëve pas ndryshimeve të paralajmëruara në klub është një sinjal alarmi. Sejdiu: Largimi i lojtarëve nga Trepça është sinjal alarmi “Por kur vjen edhe kjo faza tjetër kur edhe lojtarët të cilët kanë ardhur fillojnë ikjen edhe nga klubi, kjo nuk është e mirë.

Domethënë, kjo tregon që situata për momentin nuk është e mirë edhe normal tash unë nuk e di se si do të rrjedhin gjërat. Unë uroj që të ketë një, të marrë një kahje pozitive në të mirë klubi, por indikacionet nuk janë të mira. Unë nuk e di se si do të vazhdojnë garat nëse, po flas kushtimisht, këta lojtarë nuk kthehen më edhe nuk gjendet ndonjë zgjidhje, nuk e di se çfarë do të bëhet.

Përse është situatë alarmuese është”, tha ai. Sejdiu ka bërë thirrje që të gjithë akterët të gjejnë një zgjidhje dhe ta vendosin klubin mbi interesat individuale. Edhe ish-lojtari tjetër i Trepçës, Isuf Sejdiu, ka kërkuar bashkim dhe stabilitet brenda klubit, duke thënë se problemet e vazhdueshme po dëmtojnë të ardhmen e tij.

Sejdiu: Duhet bashkim, Trepça nuk mund të ketë probleme çdo vit “Trepça është klubi i qytetit, në të cilin edhe si “Torcida” si qytetarët e tjerë u bë një kohë e gjatë që presin që klubi të jetë në majat e futbollit kosovar, ashtu siç e meriton.

Unë nuk dua t’i lë fajtorë askënd, por besoj që duhet me u bërë bashkë njëherë e përgjithmonë dhe ta zgjidhin çështjen e Trepçës sepse klubi e meriton të jetë në majat e futbollit kosovar e jo të qëndrojë aty ku është dhe çdo vit të ketë probleme. Gjithashtu edhe lojtarët të mos ndihen stabilë dhe të kërkojnë lirimin.

Kjo nuk është gjë e mirë sepse sapo po fillon një epokë e re për Trepçën dhe po shpresojnë të gjithë që ka me qenë stabile, atëherë çdo herë po lind një problem”, ka thënë Sejdiu. Për këtë çështje kanë reaguar edhe tifozët e Trepçës, “Torcida 1984”, të cilët në një përgjigje me shkrim për KosovaPress i bëjnë përgjegjës drejtuesit aktualë për krizën në klub.

Ata theksojnë se janë të njëjtës bindje me lojtarët për moskorrektësinë e kryesisë, ndërsa vonesat e pagave i cilësojnë si problem të përsëritur prej vitesh. Torcida 1984: Vendosmëria e vëllezërve Haxhiu e ka shkaktuar krizën te Trepça “Ajo që e ka shkaktuar këtë situatë dihet botërisht.

Është vendosmëria e vëllezërve Haxhiu, të cilët në media shfaqen sikur janë engjëj, ndërsa në realitet, të gjithë njerëzit që janë ofruar për ta marrë klubin kanë hasur në të njëjtën pengesë: vendosmërinë e tyre për të mos e lëshuar klubin. Realisht, kemi komunikuar me lojtarët dhe jemi të bindjes së njëjtë se kjo kryesi nuk është korrekte.

Edhe vetë kryesia e ka pranuar tashmë se nuk ka qenë korrekte me lojtarët. Ne, lojtarëve, u kemi falënderuar për kontributin e tyre ndër vite, pasi vonesat në paga nuk janë vetëm të këtij sezoni apo të sezonit të kaluar, por kanë qenë një problem prej vitesh”, bënë të ditur tifozët “Torcida 1984”.

Ndër të tjera, “Torcida 1984” kërkon largimin e kryesisë, duke thënë se sipas informacioneve të tyre, disa lojtarë kanë refuzuar Trepçën për shkak të drejtuesve aktualë. Torcida 1984: Me këta njerëz në krye, askush nuk vjen te Trepça “Nëse dëshirojmë ditë të mira për klubin, atëherë duhet largimi i kësaj kryesie.

Vetëm me largimin e tyre do të mbyllej kjo krizë dhe klubit do t’i largohej kjo hije e zezë. Me këta njerëz në krye të klubit, askush nuk vjen, as për të investuar e as për të luajtur për KF Trepçën.

Ne kemi edhe informacione nga brenda klubit se shumë lojtarë, të cilët janë kontaktuar për të ardhur këtë sezon, kanë refuzuar, duke e ditur se këta njerëz janë ende në krye të klubit”, shtuan tifozët. Sa i përket hapave të ardhshëm, tifozët kanë paralajmëruar se nuk do të qëndrojnë duarkryq.

Trepça, një prej klubeve me traditën më të madhe në futbollin kosovar, vazhdon të garojë në Ligën e Parë, ndërsa në Mitrovicë kërkohet një zgjidhje që do t’i rikthente klubit stabilitetin organizativ dhe ambiciet për rikthim në elitën e futbollit kosovar.

Burimi: Bota Sot