Haxhiu: Mbi 1500 persona të zhdukur, Serbia t’i hapë arkivat

0%

U.D. e Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Haxhiu tha se në Kosovë janë mbi 1 mijë e 500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, teksa nënvizoi se familjet janë në pritje për gjetjen e tyre, kurse për Kosovën është kapitull i hapur i cili do të mbyllet vetëm kur të gjendet edhe personi i fundit.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, mendimet tona janë pranë familjarëve, të cilët për afër tri dekada presin përgjigje për më të dashurit e tyre. Janë edhe mbi 1,500 persona të zhdukur me dhunë gjatë luftës, të cilët ende nuk janë gjetur.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës ende vazhdon të jetë një kapitull i hapur, i cili nuk do të mbyllet derisa të gjendet edhe personi i fundit”, tha Haxhiu. Ajo deklaroi institucionet e vendit nuk kanë ndaluar kërkimet teksa shtoi se gjatë muajit të fundit janë gjetur mbetjet mortore të së paku 23 personave. “Kërkimet nuk janë ndalur.

Vetëm vitin e fundit, në 17 lokacione janë gjetur mbetje mortore të 30 personave. Vetëm në muajin e fundit, në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave”, tha Haxhiu. Haxhiu falenderoi institucionet për profesionalizimin e treguar gjatë një procesi të ndjeshëm.

“Pra, në këtë rast më duhet të falënderoj institucionet e Republikës së Kosovës për profesionalizmin, për kujdesin e treguar, sidomos në këto dy lokacione… tri lokacionet e fundit: Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë proces të ndjeshëm”, tha ajo.

Tutje, u.d e detyrës së presidentes tha se Serbia vazhdon të shfaq mungesë bashkëpunimi, pasi siç tha ajo ‘nëse hapen ato arkiva, atëherë dihet se kush i ka dhënë urdhrat’. “Pra, gërmimet tregojnë që puna vazhdon, sikurse edhe tregojnë që në këtë proces të ndjeshëm kemi shumë sfida për shkak të mungesës së bashkëpunimit të Serbisë.

Pra, siç e dini, edhe përkundër thirrjes tonë që Serbia të hapë arkivat — sepse nëse hapen ato arkiva, atëherë dihet se kush i ka dhënë urdhrat, kush i ka zbatuar urdhrat dhe ku janë trupat e personave të cilët ishin varrosur pasi që ishin vrarë — prandaj në këtë rast edhe një herë bëj thirrje që Serbia të hapë arkivat.

Dhe në këtë rast presim që partnerët tanë ndërkombëtarë të bëjnë presion mbi Serbinë që e njëjta t’i hapë arkivat”, tha Haxhiu. Në fund ajo siguroi se Kosova do të vazhdojë punën me përkushtim maksimal deri në gjetjen e personit të fundit të zhdukur. “Ne do të vazhdojmë punën me përkushtim maksimal derisa, siç e përmenda edhe më herët, të gjendet edhe personi i fundit”, shtoi Haxhiu.

Burimi: Bota Sot