Shkrimet e përmbledhura në veprën “ESEISTIKË DHE PORTRETE TË KULTURËS SHQIPTARE (II)” nga Musa Jupolli, janë vetëm disa nga portretet, esetë, kujtimet dhe refleksionet e tij mbi figura të ndryshme të artit, kulturës dhe jetës intelektuale shqiptare në mërgatë dhe në atdhe.
Në thelbin e tyre këto shkrime eseistike janë një udhëtim i vazhdueshëm i mendimit kritik të këtij autori, dhe si përvojë eseistike janë strukturuar në këtë vepër, ku fjala e tij nuk është vetëm përshkrim formal, por këto ese janë dëshmi dhe kujtesë, po më tepër janë akt nderimi që Musa Jupolli e ka bërë për secilin autor dhe autore.
Në qendër të këtij mozaiku qëndron figura e krijuesit shqiptar në mërgatë, e artistit që jeton midis dy hapësirave, asaj të origjinës dhe asaj të përjetimit. Ky dualitet nuk është vetëm gjeografik, por edhe shpirtëror. Ky akt prodhon një tension të brendshëm krijues, ku kujtesa e atdheut shndërrohet në motiv estetik, ndërsa përvoja e botës së huaj kthehet në zgjerim të horizontit kulturor.
Pikërisht në këtë ndërthurje lindin tekstet e Musa Jupollit, që tashmë lexuesi i ka përpara. Ky mozaik vlerësimesh dhe përjetimesh e ndërtojnë një panoramë të gjerë të krijimtarisë shqiptare bashkëkohore.
Në këto shkrime, arti trajtohet si vetë thelbi i saj, ndërsa krijuesit që përmenden nëpër këto faqe libri janë bartës të një vizioni kulturor që e tejkalon individualen dhe e vendos artin në shërbim të kujtesës kolektive. Një vend të veçantë zë raporti i autorëve midis artit dhe identitetit të tyre kombëtar.
Nëpërmjet këtyre personaliteteve të trajtuara, shihet qartë se arti shqiptar nuk është i shkëputur nga historia, por i rrënjosur thellë në të. Ai lind nga plagët e saj, nga qëndresa, nga mërgimi, nga përpjekja për të ruajtur gjuhën dhe kujtesën.
Në këtë kuptim, çdo vepër arti e përmendur në këto shkrime bëhet një formë dëshmie, një mënyrë për të mos lejuar që koha të fshijë gjurmët e ekzistencës dhe të pranisë shqiptare kudo në botë. Nga ana tjetër, këto shkrime nuk synojnë të jenë vetëm përshkrime biografike apo vlerësime kritike. Ato janë edhe një dialog i hapur me artin, letërsinë dhe fushat tjera artistike.
Në to ndërthuren kujtimi personal, analiza eseistike dhe bëhet një lloj reflektimi filozofik mbi krijimin si art dhe si letërsi. Kjo qasje e shumëfishtë, nga Musa Jupolli është parë si një proces i gjallë komunikimi midis krijuesit dhe receptuesit, midis kohës dhe kujtesës, midis realitetit dhe imagjinatës. Në këtë kontekst, shkrimi kritik i tij, merr një rol të veçantë.
Ai shndërrohet në pjesëmarrjeje të drejtpërdrejt në jetën e veprës, të secilit autor a autore që përfshihet brenda këtij vëllimi me kritika letrare dhe po aq edhe artistike. As kritiku Musa Jupolli, këtu nuk qëndron jashtë artit, por është futur brenda tij, si një lexues i angazhuar që përpiqet të zbërthejë kuptimet, të ndriçojë simbolikat dhe të hapë shtigje të reja interpretimi.
Kështu, kritika e tij shndërrohet në një akt kulturor, po më shumë në një urë që lidh krijuesin me publikun dhe veprën me kohën. Një tjetër bosht i rëndësishëm i këtyre shkrimeve është figura e artistit si njeri i angazhuar.
Shumë prej personaliteteve të përmendura nuk janë vetëm krijues në kuptimin estetik, por edhe veprimtarë të kulturës, të çështjes kombëtare dhe të përfaqësimit të identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Në këtë mënyrë, arti i tyre del nga korniza e galerive dhe librave dhe hyn në hapësirën e jetës publike, duke u bërë pjesë e dialogut historik dhe shoqëror, dhe në këtë pikë autori është mjaftë i saktë.
Nëpër faqet e kësaj vepre, lexuesi do të hasë emra, ngjarje dhe momente që lidhen ngushtë me mërgatën shqiptare, me Parisin ku jeton autori, që është shndërruar në simbolikë e artit dhe kulturës botërore, dhe Kosovës si kujtesë dhe realitet historik, si dhe me Shqipërinë si rrënjë e përbashkët shpirtërore, pa të cilën autori nuk bëhet i realizuar.
Këto hapësira dhe plotë të tjera anë e kënd Evropës, duke i përmendur arbëreshët në jugun e Italisë, nuk janë prezantuar të ndara, por autori ka arritur t’i lidhë e ndërthurë përmes një rrjeti të padukshëm kulturor, ku fjala e shkruar dhe arti luajnë rolin e gjuhës universale dhe të komunikimit ndër etnik.
Në këtë kuptim, Parisi nëpër këto shkrime shndërrohet në një metaforë e takimeve kulturore. Ai është vendi ku edhe arti shqiptar takohet me artin botëror, ku krijuesi shqiptar matet me standardet ndërkombëtare dhe njëkohësisht e ruan autenticitetin e vet.
Kjo përvojë e dyfishtë e mërgatës e ka pasuruar tekstin e kësaj vepre duke i dhënë atij një dimension të gjerë reflektimi mbi identitetin dhe përkatësinë. Si përfundim, këto shkrime mund të lexohen edhe si një dëshmi e përkushtimit ndaj fjalës. Fjala këtu nuk është vetëm mjet komunikimi, por formë kujtese dhe formë e ekzistencës.
Ajo ruan, ndërton dhe transmeton, vlera të cilat i ka spikatur Musa Jupolli. Pastaj nëpërmjet saj, figurat e trajtuara nuk mbeten thjesht emra në histori, por bëhen pjesë e një narrative të gjallë kulturore.
Ky vëllim kritik, është një udhëtim nëpër kujtesën e artit shqiptar bashkëkohor, një përpjekje për të ndriçuar rrugët e krijimit dhe për të afirmuar vlerën e tij në një hapësirë gjithnjë e më të gjerë kulturore. Vepra “ESEISTIKË DHE PORTRETE TË KULTURËS SHQIPTARE (II)” nga Musa Jupolli, është një homazh për artistin, për fjalën dhe për vetë aktin e krijimit.
Veprat I-II, i botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2026.
