Jude Bellingham po rikthen formën e tij më të mirë te Real Madridi, pas dy sezoneve që nuk i përmbushën pritshmëritë. Mesfushori i Anglisë është dukur në formë të shkëlqyer që nga fillimi i sezonit, duke shënuar ndaj Espanyolit dhe më pas duke shkëlqyer kundër Real Sociedadit, ku dhuroi dy asistime vendimtare për Kylian Mbappen dhe Vinicius Juniorin.
Duke folur për mediat zyrtare të Real Madridit, Bellingham tha se roli i tij i ri i jep më shumë hapësirë për ta shfaqur veten. “Ndjej sërish më shumë liri, më shumë liri për të vendosur se kur të tërhiqem prapa, kur të shtyhem përpara apo kur të bëj vrapime drejt zonës së penalltisë”, shpjegoi ai.
“Mendoj se ky është pozicioni më i mirë për mua, pasi më lejon t’i shfaq të gjitha aftësitë e mia”, shtoi reprezentuesi i Anglisë. “Jam vërtet mirënjohës ndaj trajnerit për besimin që ka tek unë dhe për mundësinë që më ka dhënë të luaj në këtë mënyrë”, shtoi ai.
Për Bellinghamin, ky start i fuqishëm është veçanërisht i rëndësishëm përpara një kalendari të ngjeshur, i cili nis me Championsin. Ai këmbëngul se skuadra duhet ta ruajë këtë ritëm edhe gjatë javëve në vazhdim. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme të krijojmë një moment të mirë.
Tani vjen një periudhë e vështirë me fillimin e Championsit, ku ndeshjet grumbullohen njëra pas tjetrës, dhe është mirë ta kemi një start të mirë”, tha ai. Bellingham theksoi gjithashtu se lojtarëve të rinj që janë transferuar këtë verë u duhet kohë për t’u përshtatur me skuadrën.
Ai lavdëroi mënyrën se si përforcimet e reja janë integruar kaq shpejt, duke këmbëngulur se kanë lënë përshtypje pozitive si në dhomën e zhveshjes, ashtu edhe në fushë. Kjo nuk është aspak e lehtë, duke marrë parasysh presionin që vjen nga transferimi te një klub me përmasat e Real Madridit, veçanërisht nën drejtimin e një trajneri dhe stafi të ri.
Bellingham foli edhe për përmirësimin kolektiv të skuadrës. Presioni agresiv dhe rikuperimi i shpejtë i topit pas humbjes së tij, sipas mesfushorit, janë ndër arsyet kryesore pse Real Madridi është dukur në formë më të mirë që në fillim të sezonit.
