Barcelona ka zyrtarizuar largimin e mbrojtësit të ri 20-vjeçar, Héctor Fort, i cili është transferuar te Real Sociedad, në një marrëveshje nga e cila klubi katalanas përfiton 8.5 milionë euro për 50% të të drejtave të lojtarit, ndërsa ruan një klauzolë riblerjeje dhe një përqindje nga çdo transferim i ardhshëm.
Detajet e marrëveshjes, të bëra publike nga të dy klubet, i japin Barcelonës të drejtën ta rikthejë Fortin për 20 milionë euro deri në vitin 2028, ndërsa shuma rritet në 25 milionë euro deri në vitin 2029. Përveç kësaj, Barcelona do të përfitojë edhe një përqindje nga çdo shitje e ardhshme e lojtarit. Fort largohet nga Barcelona pas 13 vitesh në klub, pasi iu bashkua akademisë si fëmijë.
Sezonin e kaluar ai e kaloi në huazim te Elche, ku paraqitjet e tij në krahun e djathtë nën drejtimin e Eder Sarabias tërhoqën vëmendjen dhe e shtynë Barcelonën të shqyrtonte mundësinë e rikthimit të tij në ekipin e parë. Megjithatë, një dëmtim serioz në shpatull e ndërpreu këtë progres.
Fort e pësoi dëmtimin pasi shënoi golin e tij të parë në kampionat për Elchen dhe iu nënshtrua një operacioni që e la jashtë fushave për një periudhë, përpara se të rikthehej në fazën përmbyllëse të sezonit. Hansi Flick megjithatë nuk arriti t’i gjente hapësirë në skuadër pas përfundimit të fazës përgatitore.
Barcelona ka disa alternativa në krahun e djathtë të mbrojtjes, me Eric Garcian, Jules Kounden dhe Xavi Espart përpara Fortit në hierarki, ndaj klubi vendosi ta lejojë largimin e tij përfundimisht. Real Sociedad mposhti konkurrencën e disa klubeve për të siguruar shërbimet e tij, mes tyre edhe Borussia Dortmundi.
Klubi gjerman nuk ishte i gatshëm të paguante 15 milionë eurot që kërkonte Barcelona, duke bërë që marrëveshja të përfundonte te skuadra baske. Fort udhëtoi drejt San Sebastianit të shtunën në mëngjes dhe në mbrëmje ndoqi nga afër ndeshjen e skuadrës së tij të re kundër Espanyolit.
Ai pritet të konkurrojë me Aramburun dhe Odriozolan për vendin e titullarit në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa ky i fundit pritet të mungojë për një periudhë të gjatë.
Largimi i Fortit është në përputhje me politikën e re të Barcelonës për lojtarët e akademisë që nuk arrijnë të depërtojnë në ekipin e parë: klubi synon të përfitojë financiarisht nga shitja, duke ruajtur një pjesë të të drejtave të lojtarit ose një klauzolë riblerjeje.
Barcelona e ka përdorur këtë formulë edhe më parë dhe pritet që ajo të ndikojë edhe në të ardhmen e Jofre Torrents, Toni Fernandez dhe Guille Fernandez.
