Vllaznia del me reagim zyrtar

0%

Elbasani dhe Vllaznia u ndanë në barazim 1-1, në sfidën e luajtur në “Elbasan Arena”, e vlefshme për javën e 2-të në Abissnet Superiore. Në minutat shtesë të pjesës së dytë, Vllaznia iu anulluan dy gola për pozicion jashtë loje, gjë që solli acarimin e trajnerit Edi Martini, i cili u ndëshkua me karton të kuq. Fundi i ndeshjes u shoqërua me tensione të shumta.

Klubi i Vllaznisë ka reaguar pak më parë përmes një deklarate për shtyp ku dënon situatën e ndodhur sot dhe distancohet nga çdo lloj dhune.

“Klubi i Futbollit Vllaznia, pas përfundimit të ndeshjes AF Elbasani – KF Vllaznia, zhvilluar sot në stadiumin “Elbasan Arena” dhe përfunduar me rezultatin 1–1, e konsideron të domosdoshme të bëjë publik shqetësimin e tij për disa episode dhe rrethana që ndikuan negativisht në klimën sportive dhe mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Së pari, pavarësisht se ndeshja, në zbatim të vendimit të organeve disiplinore, duhej të zhvillohej pa praninë e spektatorëve, në tribunën VIP ishin të pranishëm persona të cilët, gjatë gjithë ndeshjes, fyen dhe provokuan vazhdimisht lojtarët dhe përfaqësuesit e KF Vllaznia.

Përballë kësaj situate, Klubi ynë konstatoi mungesën e reagimit të nevojshëm nga personat përgjegjës për organizimin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e ndeshjes. Një situatë e tillë është e papranueshme, veçanërisht në një takim që, sipas vendimit disiplinor, duhej të zhvillohej pa publik. Së dyti, po aq shqetësues për KF Vllaznia është edhe standardi i arbitrimit të ndeshjes.

Në mënyrë të veçantë kërkojmë që të analizohet me seriozitet episodi i minutës së 34-t, kur, në momentin që Vllaznia kryesonte 1–0, lojtari i Elbasanit Abas kreu një ndërhyrje jashtëzakonisht të rëndë ndaj futbollistit tonë Mehmetaj.

Sipas vlerësimit të Klubit, ndërhyrja rrezikoi seriozisht shëndetin dhe karrierën e lojtarit tonë dhe, minimalisht, meritonte një shqyrtim të plotë përmes sistemit VAR. Mungesa e një reagimi proporcional ndaj një episodi të tillë ndikoi drejtpërdrejt në tensionin e krijuar në fushën e lojës dhe cenoi besimin e lojtarëve dhe stafit tonë ndaj standardit të arbitrimit.

Në këtë kontekst, edhe dy golat e anuluar të KF Vllaznia në minutat shtesë, përkatësisht në 90+2 dhe 90+6, e bëjnë edhe më të domosdoshme që të gjitha episodet vendimtare të kësaj ndeshjeje të shqyrtohen me profesionalizëm dhe transparencë të plotë nga strukturat përgjegjëse të arbitrimit. KF Vllaznia nuk kërkon privilegje dhe nuk kërkon favorizim.

Kërkojmë vetëm atë që duhet t’i garantohet çdo klubi dhe çdo skuadre që hyn në fushën e lojës: gjykim të drejtë, standard të njëjtë për të gjithë, respektim rigoroz të rregullave dhe kushte që mbrojnë integritetin e garës.

Ne besojmë se episode të tilla, nëse nuk analizohen dhe adresohen me përgjegjësi nga institucionet përkatëse, dëmtojnë besimin te gara, cenojnë frymën e fair-play-t dhe krijojnë tensione që nuk i shërbejnë futbollit shqiptar.

KF Vllaznia do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri investimin, punën dhe interesat e Klubit, duke kërkuar me forcë respektimin e të drejtave tona vetëm në rrugë institucionale.

Në të njëjtën kohë, Klubi distancohet qartësisht nga çdo formë dhune, fyerjeje apo reagimi që bie ndesh me vlerat e sportit dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të futbollit të kontribuojnë për një garë të drejtë, të respektueshme dhe të denjë ”, thuhet në deklaratën për shtyp të klubit shkodran.

Burimi: Bota Sot