Ekskluzive | “Nëse jam gjallë, kam me ta zhvesh uniformën” – ky është

0%

Një kontroll policor në pikën kufitare në Jarinjë ka eskaluar në një incident serioz, me kërcënime ndaj zyrtarëve policorë, rezistencë gjatë arrestimit dhe lëndimin e një polici, raporton ekskluzivisht Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të arrestuarit janë Bastri Islami , 41-vjeçar, dhe Alban Islami , 35-vjeçar, ndaj të cilëve Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim.

Gjithçka nisi më 28 gusht, rreth orës , kur Alban Islami mbërriti në hyrje të Kosovës përmes pikës kufitare në Jarinjë, duke drejtuar një kamionetë me rimorkio, në të cilën po transportoheshin tri vetura. Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë konstatuan se ai nuk posedonte kategorinë përkatëse për drejtimin e mjetit, për shkak të peshës së përgjithshme dhe gjatësisë.

Për këtë arsye është kërkuar asistenca e njësisë së trafikut për shqiptimin e kundërvajtjes. Por një procedurë që nisi si çështje trafiku, dyshohet se shumë shpejt u shndërrua në përplasje me policët. Sipas informacioneve të Sinjalit, Bastri Islami, i cili po e shoqëronte 35-vjeçarin, dyshohet se fotografoi me telefon njërin prej policëve dhe më pas iu drejtua me fjalë kërcënuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“ Për këtë pjesë shihemi ne prapë privatisht, nuk ka me u kry me kaq. Nëse jam gjall, kam me ta zhvesh uniformën ”, dyshohet se ishin fjalët e tij.

Pas kërcënimit, zyrtarët policorë ndërhynë për arrestimin e tij, por situata eskaloi edhe më tej. 41-vjeçari dyshohet se bëri rezistencë aktive, shfaqi sjellje agresive dhe nuk iu bind urdhrave të policëve, ndërsa gjatë arrestimit një zyrtar policor pësoi lëndime në dorën e djathtë.

Në incident dyshohet se ndërhyri edhe Alban Islami, i cili, sipas të dhënave të rastit, pengoi policët gjatë arrestimit të personit që po e shoqëronte. Edhe ai dyshohet se u është drejtuar policëve me fjalët: “ Kemi me u kthy privatisht, kemi me e çu deri në fund, se nuk ka me mbetë me kaq ”, krahas fjalëve fyese.

Policia ka përdorur forcë për ta vënë situatën nën kontroll, e cila në raportin policor cilësohet si proporcionale, e arsyeshme dhe e domosdoshme. Të dy të dyshuarit janë arrestuar dhe më pas janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tyre është nxjerrë aktvendim për ndalim, ndërsa rasti i është kaluar Njësisë së Hetimeve Rajonale në Mitrovicë të Veriut për procedurat e mëtejshme.

Kontrolli i kamionetës me tri vetura eskalon në Jarinjë | “Nëse jam gjallë, kam me ta zhvesh uniformën” – dy të arrestuar, lëndohet një polic Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com