Komunat e Kosovës do të dalin më 1 shtator para Qeverisë me kërkesa për nivelin qendror. Nëpërmjet një proteste paqësore, Asociacioni i Komunave të Kosovës synon të kundërshtojë obligimet financiare që, sipas tyre, po rëndojnë buxhetet komunale.
Në fokus janë borxhet që kanë rrjedhur nga kontratat kolektive, kompensimi për dëmet nga fatkeqësitë natyrore dhe ndërhyrjet në kompetencat e pushtetit lokal. Komunat kërkojnë zgjidhje institucionale dhe trajtim të barabartë nga niveli qendror.
Me moton ‘Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve’, drejtuesit e komunave do të mblidhen për të kundërshtuar obligimet financiare siç thanë ata, që po i paguajnë padrejtësisht për shkak të kontratave kolektive.
“Kërkojmë që të zbatohen ligjet, kërkojmë që të mos ndërhyhet në kompetencat e kryetarëve, respektivisht të komunave të Republikës së Kosovës si dhe të kemi trajtim të drejtë dhe institucional.
Komunat për një kohë të gjatë po përballen me obligime financiare të krijuara nga niveli nacional dhe këto kosto në çdo ditë të punës sonë veç sa vijnë e shtohen”, tha Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Në konferencën e anëtarëve të bordit të Asociacionit, Aliu renditi arsyet e protestës.
“Çështja e parë ka të bëj me financat, respektivisht me pasojat financiare që kanë derivuar nga kontrata kolektive dhe e dini që tashmë është shkuar shuma deri në 360 milionë euro që praktikisht u janë marr buxheteve të komunave që është gjakderdhja më e madhe e buxhetit nga e cila përmes procedurave përmbarimore janë marr 27% apo mbi 100 milionë euro” ka thënë Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Po ashtu, u kërkua kompensimi i komunave që kanë pësuar nga fatkeqësitë natyrore, të cilat nuk kanë marr mbështetje nga niveli qendror për riparimin e dëmeve. Sipas Aliut, mosformimi i institucioneve është një tjetër problematikë dhe sfidë për punën e komunave.
