Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka shprehur mirënjohje për NATO-n dhe Policinë e Kosovës pas përfundimit të misionit të sigurisë mbi Urën e Ibrit. Gashi tha se për 27 vite, vetëm në një llogaritje minimale, janë realizuar rreth 473 mijë angazhime individuale 4-orëshe të ushtarëve në urë.
Ai theksoi gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në misione ndërkombëtare paqeruajtëse, duke e cilësuar këtë si kalim “nga një vend që priti paqeruajtës, drejt një vendi që kontribuon për paqen”. Postimi i plotë: 27 vite mbi Urën e Ibrit.
Një llogari minimale: nëse në të dyja anët kanë qenë nga 4 ushtarë, me ndërrim çdo 4 orë, për 27 vite janë rreth 473 mijë angazhime individuale 4-orëshe. Kjo është vetëm llogaritje minimale, pa përfshirë periudhat e tensioneve dhe krizave, kur prania dhe angazhimi ushtarak rreth urës kanë qenë dukshëm më të mëdha.
Sot, me përfundimin e këtij misioni, mirënjohje të thellë për NATO-n dhe ushtarët e saj, si dhe për Policinë e Kosovës për përgjegjësinë dhe gatishmërinë e treguar. Dhe njëkohësisht, gadishmëri për angazhimin e Kosovës në misione ndërkombëtare paqeruajtëse. Nga një vend që priti paqeruajtës, drejt një vendi që kontribuon për paqen.
