Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës ka njoftuar se Gentian Likaj, vrapues i Kosova Trail Running Association – KTRA, do të përfaqësojë Kosovën në një nga ngjarjet më prestigjioze të vrapimit malor në botë – UTMB në Chamonix, Francë.
“KTRA është anëtare e Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës, ndërsa pjesëmarrja e Gentianit në këtë garë të jashtëzakonshme është një tjetër dëshmi e zhvillimit dhe ngritjes së vrapimit malor në vendin tonë, si dhe e pranisë gjithnjë e më të madhe të sportistëve kosovarë në garat më të rëndësishme ndërkombëtare.
Në kuadër të FBNSK-së funksionon edhe Seksioni i Skyrunning, i cili në periudhën e fundit është duke shënuar zhvillim të dukshëm, si në aspektin organizativ ashtu edhe në rritjen e interesimit dhe pjesëmarrjes së sportistëve tanë në gara ndërkombëtare.
Duke e parë potencialin dhe hovin që po merr kjo disiplinë, FBNSK synon që në të ardhmen Skyrunning-ut t’i kushtojë trajtim dhe vëmendje të veçantë, përmes zhvillimit të strukturave, mbështetjes së sportistëve, organizimit të garave dhe rritjes së përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës në këtë sport.
Në Chamonix, Gentiani do të garojë duke mbajtur me krenari edhe emblemën e Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës, duke përfaqësuar sportin dhe vendin tonë në skenën ndërkombëtare. 🇽🇰 Gentian, të dëshirojmë garë të mbarë, forcë dhe sukses deri në vijën e finishit! Kosova është me ty!”, thuhet nga FBNSK.
