Ergys Agasi do të transferohet në paraburgimin e Bradasheshit, ku do të qëndrojë nën masën e sigurisë “arrest me burg”, pas vendimit të autoriteteve për vijimin e masës ndaj tij. Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) la në fuqi masën “arrest me burg” për Agasin, i cili u arrestua më 26 gusht, pas disa muajsh në arrati.
Agasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK, në kuadër të hetimeve për aferat e dyshuara që lidhen me AKSHI-n. Pas transferimit në Bradashesh, ai do të mbahet në ambientet e paraburgimit gjatë vijimit të procedurave gjyqësore. Ndaj Ergys Agasit, Prokuroria e Posaçme ka ngritur disa akuza.
Në dosjen hetimore përfshihen veprat penale “grup kriminal”, “pastrim parash”, “shkelje e barazisë në tendera”, “konkurrencë e paligjshme” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”. Masa e sigurisë “arrest me burg” mbetet në fuqi, ndërsa hetimet e SPAK për çështjen vijojnë.
