Shtatë persona të akuzuar për vandalizëm në resortin e golfit “Turnberry” të Donald Trumpit janë akuzuar për një vepër penale që pretendohet se ka “lidhje terroriste”. Pretendimi për “lidhje terroriste” përfshihet në aktakuzën e dorëzuar në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë në Glasgow, lidhur me incidentin e ndodhur në resortin në Ayrshire gjatë një proteste më .
Në aktakuzë thuhet se vepra është rënduar në bazë të nenit 31 të Ligjit për Kundërterrorizmin të vitit 2008, të ndryshuar me Ligjin për Kundërterrorizmin dhe Dënimin të vitit 2021, për shkak se kishte “lidhje terroriste”, raporton BBC – transmeton Sinjali.
Grupi “Defend Our Juries” e ka kritikuar këtë veprim, duke pretenduar se të akuzuarit mund të përballen me “dënime shumë më të gjata me burg”, pavarësisht se nuk janë akuzuar për vepra terroriste.
Kieran Robson, 35 vjeç, Uzma Bashir, 56 vjeç, Ricky Southall, 34 vjeç, Autumn Taylor Ward, 22 vjeç, Rebecca Sian Davies, 29 vjeç, John Moxley, 58 vjeç dhe Dylan Chiaramello, 24 vjeç, janë akuzuar të gjithë për dëmtim të pronës pas protestës.
Sipas akuzës, grupi ka dëmtuar terrenin duke hequr barin dhe duke spërkatur herbicide në fushën e golfit, ka shkaktuar përmbytje duke dëmtuar sistemin e ujitjes dhe ka dëmtuar një ndriçues.
Prokurorët pretendojnë gjithashtu se në fushën e golfit dhe në ndërtesa janë shkruar slogane si “Free Gaza” (“Liri për Gazën”), “Free Palestine” (“Liri për Palestinën”) dhe “Gaza is not for sale” (“Gaza nuk është për shitje”), si dhe mesazhe fyese ndaj Trumpit.
Shtatë personat pritej të paraqiteshin të hënën e ardhshme në Gjykatën e Lartë në Glasgow, por Shërbimi i Gjykatave dhe Tribunaleve të Skocisë bëri të ditur të premten se seanca është shtyrë dhe se seanca e radhës do të mbahet në tetor. Robson përballet gjithashtu me akuzën se e ka kryer veprën ndërsa ishte në lirim me kusht.
Në aktakuzë thuhet se ai ishte liruar me kusht nga Gjykata e Sherifit në Edinburgh më . Kjo akuzë vjen pas rastit kur katër anëtarë të “Palestine Action” morën dënime më të gjata me burg në qershor, pasi u shpallën fajtorë për një sulm në një fabrikë të operuar nga kompania izraelite e mbrojtjes “Elbit Systems”.
Gjatë atij incidenti u shkaktuan dëme që kapnin vlerën e më shumë se 1 milion paundëve dhe gjyqtari arriti në përfundimin se kishte “lidhje terroriste”. Organizatat për të drejtat e njeriut dhe mbështetësit e personave të dënuar i kritikuan dënimet, duke i cilësuar ato si joproporcionale. “Palestine Action” u shpall organizatë terroriste e ndaluar në Mbretërinë e Bashkuar në korrik 2025.
Më vonë, Gjykata e Apelit e la në fuqi vendimin e qeverisë, duke thënë se grupi kishte “promovuar hapur dhunën e paligjshme që përbën terrorizëm”. Bashkëthemeluesja e grupit, Huda Ammori, po kërkon leje për ta kundërshtuar zbatimin e ndalimit në Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar. Qeveria e Shteteve të Bashkuara e shpalli “Palestine Action” organizatë terroriste të mërkurën.
Administrata Trump tha se ky vendim ishte pjesë e masave kundër asaj që e përshkroi si “ekstremistë të së majtës ekstreme”. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
