Qeveria serbe do ta organizojë transportimin e trupit të gjeneralit të dënuar serb të Bosnjës nga Haga në Beograd dhe do t’ia organizojë funeralin me nderime shtetërore.
Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, i ka deklaruar të enjten mbrëma () televizionit të Republikës Sërpska, “Alternativna”, se i dënuari serb i Bosnjës për gjenocid dhe krime lufte, Ratko Mlladiq, do të varroset me nderime shtetërore në Serbi. “Gjenerali Mlladiq është gjeneral dhe ka protokolle që zbatohen.
Roli i tij dihet, ashtu si edhe ajo që i takon gjeneralit Mlladiq dhe kjo sigurisht që do të respektohet”- ka thënë Vujiq. Ai ka shtuar se vendi i varrimit të Mlladiqit do të përcaktohet nga vendimi i familjes.
Mlladiq ishte gjeneral i Ushtrisë Popullore Jugosllave në fillim të luftërave jugosllave dhe më pas u bë gjeneral i Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe komandant i Shtabit të saj të Përgjithshëm, duke ndërmarrë fushatën e spastrimit etnik që përfundimisht rezultoi me aktaluzën ndaj tij nga Tribunali i Hagës.
Kur vdiq të enjten, më në Hagë në moshën 84-vjeçare, Mlladiqi po vuante dënim me burgim të përjetshëm për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës gjatë luftës së viteve 1992-95 në Bosnjë-Hercegovinë. Deklarata e Vuqiqit është një nga shenjat e vetme të qëndrimit të qeverisë serbe ndaj Mlladiqit deri më tani.
Pas lajmit për vdekjen e tij të enjten, zyrtarët serbë heshtën, megjithëse mediat pro-qeveritare vajtuan vdekjen e tij dhe akuzuan Tribunalin e Hagës për neglizhencë ndaj shëndetit të tij.
Vujiqi i ka deklaruar transmetuesit publik të Republikës Sërpska, RTRS, se të enjten ka folur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe se janë marrë vesh që Serbia të ofronte çdo ndihmë të nevojshme për organizimin e transportimit të trupit të Mlladiqit dhe për rregullimin e transportimit të tij në Beograd me “aeroplan special”.
“Ndoshta do të udhëtoj edhe me familjen në mënyrë që të mund t’i kryejmë formalitetet që lidhen me transferimin e trupit”, ka thënë Vujiq.
“Ky është një lajm i trishtueshëm për të gjithë ne, për të gjithë popullin serb”- i ka deklaruar ai RTRS-së, duke vënë në pah se autoritetet serbe kishin bërë gjithçka që ishte në fuqinë e tyre për ta kërkuar lirimin e parakohshëm të Mlladiqit për shkak të sëmundjes së tij. Artikulli fillimisht është publikuar në Balkan Insight . Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
