Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të enjten se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të sulmojë asnjë vend të NATO-s, dhe minimizoi raportimet e mediave se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, i paralajmëroi zyrtarët rusë kundër një sulmi të tillë gjatë vizitës që mbajti më herët gjatë javës në Moskë.
“Ai nuk do të sulmojë një territor të NATO-s” , tha Trump për udhëheqësin rus ndërsa fliste me gazetarët në Zyrën Ovale. Një ditë më parë, Trump tha për Axios në një intervistë telefonike se nuk do të kishte një sulm të tillë dhe se Ratcliffe, i cili fluturoi për në Rusi për t’u takuar me homologët e inteligjencës, nuk ishte për të dhënë ndonjë mesazh të veçantë.
“Ratcliffe takon homologun e tij rus një herë në gjashtë muaj ose një herë në vit. Ata kanë një marrëdhënie shumë të mirë. Nuk kishte asnjë mesazh dhe nuk kishte asgjë të pazakontë”, tha Trump. Komentet e Trump erdhën pasi Ëall Street Journal raportoi të mërkurën se Ratcliffe kishte udhëtuar për në Moskë për të paralajmëruar Rusinë për çdo sulm ndaj një anëtari të NATO-s.
Dy burime të njohura me çështjen i thanë Reuters se Ratcliffe ngriti çështjen e mundësisë së një operacioni rus kundër një anëtari të NATO-s gjatë atij takimi, megjithëse nuk ishte e qartë nëse ky ishte qëllimi i vetëm i udhëtimit.
