Kush ishte Ratko Mlladiq, krimineli serb i luftës që vdiq sot

0%

(Radio Evropa e Lirë) – Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, ka vdekur në moshën 84-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga Radio Televizioni i Republikës Sërpska.

Mlladiq ishte dënuar për një akuzë për gjenocid, për pesë akuza për krime kudër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë më 2017 – mbi 20 vjet pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë.

I njohur nga viktimat e tij dhe të tjetër si “kasapi i Bosnjës”, gjykata e gjeti Mlladiqin fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995 – mizoria më e madhe e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Që nga vendimi i Tribunalit në Hagë, numri i viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë është rritur në mbi 8.000.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Mlladiq po ashtu u shpall përgjegjës nga Tribunali edhe për rrethimin dhe bombardimin e kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë – një krim kundër njerëzimit që sipas gjykatës ndërkombëtare rezultoi me vdekjen e 4.548 ushtarëve boshnjakë dhe 4.954 civilëve. Vlerësohet se po ashtu 50.000 persona ishin plagosur gjatë rrethimit.

Tribunali i Hagës gjeti po ashtu presidentin e kohës së luftës në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, se kishte ndërmarrë politika që çuan në akte të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, ndërkaq Mlladiq, komandanti i tij kryesor i ushtrisë, sipas gjykatës, i kishte ekzekutuar këto plane.

Mlladiq dhe Karaxhiq u akuzuan se kishin udhëhequr një zinxhir komandues mbi operacionet me qëllim spastrimin etnik të Bosnjës nga joserbët, përmes torturës, frikësimit, dëbimeve të detyruara të popullsisë dhe vrasjeve masive.

I cilësuar nga nacionalistët serbë dhe shumë serbë të Bosnjës si hero, Mlladiq komandoi forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë më 1992-1995, konflikt në të cilin janë vrarë më shumë se 100.000 persona.

Tribunali i Hagës konstatoi se kur Srebrenica ra në duart e forcave serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, Mlladiq dha urdhra të drejtpërdrejta që trupat serbe të Bosnjës të grumbullonin dhe të ekzekutonin burrat dhe djemtë boshnjakë, që po përpiqeshin të largoheshin nga zona.

Gjykata po ashtu gjeti se forcat serbe të Bosnjës më pas tentuan të fshihnin dëshmitë e gjenocidit duke rivarrosur trupat e viktimave në varre masive, të shpërndara në zona të izoluara rurale përreth Srebrenicës.

Burimi: Bota Sot