Sami Sermaxhaj është larguar nga detyra në Kombëtaren e Kosovës – femrat, pas një periudhe të angazhimit të tij në stafin e kombëtares. Sermaxhaj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në futbollin tonë dhe gjatë angazhimit të tij me Kombëtaren ka qenë pjesë e proceseve të rëndësishme të zhvillimit të ekipit. Pas largimit nga kombëtarja, ai pritet të rikthehet në futbollin e klubeve.
Sipas informacioneve, Sermaxhaj pritet të marrë drejtimin e klubit të futbollit Ballkani. ““Falënderim Federatës së Futbollit Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë Federatës së Futbollit të Kosovës dhe në veqanti Kryetarit Agim Ademi për mbështetjen, besimin dhe bashkëpunimin që më ka ofruar gjatë gjithë periudhës së udhëheqjes së Përfaqësueses A të vajzave të Kosovës.
Një falënderim i veçantë shkon për gjithë stafin dhe vajzat e Kombëtares. Puna me to ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe një privilegj shumë i madh për mua. Jam krenar për përkushtimin, profesionalizmin dhe shpirtin e tyre luftarak, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
U uroj vajzave të Kombëtares shumë suksese në të ardhmen, shëndet, përparim dhe sa më shumë arritje të bukura me fanellën e Kosovës. Do ta kujtoj gjithmonë me shumë respekt dhe mirënjohje kohën e kaluar së bashku”, ka shkruar Sami Sermaxhaj në profilin e tij në facebook.
