Ballkani Perëndimor drejt makinave elektrike, hendek në subvencione,

0%

Makinat elektrike po fitojnë terren në Ballkanin Perëndimor, por ritmi i kalimit drejt tyre ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin, ndërsa qeveritë, importuesit dhe konsumatorët përballen me çmime, politika fiskale dhe infrastrukturë të ndryshme. Shqipëria po shënon një rritje të fortë të regjistrimeve të automjeteve elektrike.

Në Kosovë, importet po shtohen dhe automjetet që vijnë nga Kina dominojnë tregun. Mali i Zi po përdor subvencione për të nxitur blerjet, edhe pse rrjeti i karikimit mbetet i kufizuar. Në Bosnjë-Hercegovinë, ndërkohë, tregu i makinave plotësisht elektrike mbetet relativisht i vogël, ndërsa kompanitë dhe industria po kërkojnë mundësi që lidhen me elektromobilitetin.

Ndryshimet vijnë ndërsa tregu europian po zhvendoset gradualisht nga motorët tradicionalë. Sipas të dhënave, në tremujorin e parë të vitit 2026 në Bashkimin Europian u regjistruan 546,937 makina të reja plotësisht elektrike, duke arritur një pjesë tregu prej 19.4%. Automjetet hibride kishin 38.6% të tregut, shkruan Monitor.al .

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Peshë e ulët e makinave elektrike në Ballkan Makinat elektrike vijojnë të kenë një peshë shumë të ulët në flotën e automjeteve të pasagjerëve në Ballkanin Perëndimor. Të dhënat më të fundit të Eurostat, për fundin e vitit 2024, tregojnë se në të gjitha vendet e rajonit automjetet elektrike përbëjnë më pak se 1% të totalit të makinave në qarkullim.

Shqipëria ka peshën më të lartë në rajon, me 0.738% të flotës së makinave të pasagjerëve me energji elektrike, por edhe ky nivel mbetet rreth tre herë më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, prej 2.219%. Pas Shqipërisë renditen Maqedonia e Veriut me 0.260%, Mali i Zi me 0.232% dhe Serbia me vetëm 0.107%.

Në Bosnjë-Hercegovinë pesha e makinave elektrike ishte 0.047%, ndërsa për Kosovën e dhëna e fundit e disponueshme është e vitit 2021 dhe rezulton vetëm 0.017%. Në Europën Qendrore dhe Jugore, hendeku është më i vogël. Gjermania ka një peshë prej 3.35%, Franca 2.85% dhe Portugalia 2.69%. Italia, me 0.676%, mbetet madje pak poshtë Shqipërisë, ndërsa Greqia është në 0.298%.

Spanja, me 0.780%, është vetëm pak mbi Shqipërinë. Diferenca me vendet kryesuese është shumë e madhe: në Norvegji pesha e makinave elektrike është 27% e totalit, ose rreth 37 herë më e lartë se në Shqipëri, ndërsa në Danimarkë (12.1%) dhe Islandë (12%) rreth 16 herë më e lartë. (shiko grafikun në fund).

Shqipëria Tregu shqiptar po regjistron një rritje të shpejtë të makinave plotësisht elektrike. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, në Shqipëri u regjistruan për herë të parë 5,714 automjete All-Electric, një rritje prej 182% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Rritja po shoqërohet edhe me një ndryshim të përbërjes së tregut të makinave të reja. Sipas DPSHTRR-së, automjetet elektrike, hibride dhe plug-in hibride përbënin 73.1% të autoveturave me zero kilometra të regjistruara gjatë periudhës janar-qershor 2026. Mjetet elektrike përbënin rreth 11% të regjistrimeve për herë të parë në gjashtë muajt e parë të vitit.

Në fund të qershorit, Regjistri Kombëtar Shqiptar numëronte rreth 1.1 milion mjete aktive në total. DPSHTRR publikon si të dhënat mbi regjistrimet e reja, ashtu edhe të dhënat mbi flotën aktive, të përditësuara më . Bosnjë-Hercegovina Në Bosnjë-Hercegovinë, makinat plotësisht elektrike vazhdojnë të zënë një pjesë të kufizuar të tregut.

Gjatë vitit 2025, tregu automobilistik u karakterizua nga hyrja dhe zgjerimi i markave të reja, veçanërisht atyre kineze, si dhe nga një ofertë më e madhe e automjeteve hibride dhe plug-in hibride. Çmimet e larta, fuqia e kufizuar blerëse dhe infrastruktura e pamjaftueshme e karikimit përmenden ndër arsyet kryesore të zhvillimit më të ngadaltë të tregut të makinave elektrike.

Në të njëjtën kohë, tregu vazhdon të dominohet nga automjetet e përdorura të importuara, ndërsa hibridet plug-in po shihen gjithnjë e më shumë si një zgjidhje praktike kalimtare për një numër të madh drejtuesish.

Anela Karahasan, eksperte e lartë për industrinë dhe shërbimet në Dhomën e Ekonomisë të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe sekretare e Shoqatës për Elektromobilitetin, thotë se elektromobiliteti tashmë është pjesë e transformimit të sistemit modern të transportit.

“Sot mund të themi me siguri se elektromobiliteti nuk është më e ardhmja apo një eksperiment i entuziastëve – ai është bërë një realitet strukturor i sistemit modern të transportit. Megjithatë, dinamika e zhvillimit ka ndryshuar ndjeshëm. Nuk po flasim më vetëm për një mënyrë alternative transporti, por për transformimin e të gjithë sistemit energjetik dhe të transportit,” tha Karahasan.

Sipas saj, makinat elektrike tashmë janë pjesë e një koncepti më të gjerë që përfshin qytetet inteligjente, tranzicionin e gjelbër dhe pavarësinë energjetike. Zhvillimi i elektromobilitetit, thotë ajo, duhet të shoqërohet me investime më të shpejta në infrastrukturën e karikimit, dixhitalizimin e transportit dhe integrimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Karahasan veçon gjithashtu përparimin në teknologjinë e baterive, ku prodhuesit po punojnë për të rritur autonominë e automjeteve, për të shkurtuar kohën e karikimit dhe për të ulur kostot.

“Sot, makinat elektrike arrijnë një autonomi mesatare prej 450 deri në 600 kilometra, ndërsa falë arkitekturës së baterive 800 volt, ato mund të karikohen nga 10% në 80% për vetëm 15 deri në 20 minuta – praktikisht gjatë një pushimi për kafe,” tha ajo.

Në Europë, sipas Karahasan, fokusi nuk është më vetëm te automjeti, por te krijimi i një ekosistemi të qëndrueshëm, që përfshin prodhimin e baterive, riciklimin e lëndëve të para, zhvillimin e zinxhirëve lokalë të vlerës dhe ekonominë qarkulluese. Synimi është ulja e çmimeve të makinave elektrike dhe rritja e aksesit të tyre për një numër më të madh qytetarësh.

Duke iu referuar të dhënave për tremujorin e parë të vitit 2026, ajo tha se në Bashkimin Europian u regjistruan 546,937 automjete të reja elektrike me bateri, duke arritur një pjesë tregu prej 19.4%. Makinat hibride arritën ndërkohë në 38.6% të tregut.

Regjistrimet e makinave me benzinë ranë me 18.2%, ndërsa pjesa e përbashkët e makinave me benzinë dhe naftë ra në 30.3%, nga 38.2% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Karahasan e konsideron infrastrukturën një nga elementët kryesorë për zhvillimin e mëtejshëm të tregut.

“Çelësi për zhvillimin e elektromobilitetit mbetet infrastruktura – zhvillimi i rrjeteve të karikimit, menaxhimi inteligjent i karikimit dhe teknologjitë e karikimit pa kabllo,” tha ajo. Sipas saj, vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe karikimit dydrejtimësh, që lejon makinën të përdoret si burim energjie për një familje, biznes apo pajisje elektrike.

“Sigurisht, sfidat vazhdojnë të ekzistojnë dhe ndryshojnë nga një treg në tjetrin – nga kuadri rregullator dhe infrastruktura te çmimet e automjeteve dhe disponueshmëria e teknologjisë. Megjithatë, drejtimi i zhvillimit është i pandalshëm,” tha Karahasan. Në vitet e fundit, Bosnjë-Hercegovina ka bërë hapa drejt zhvillimit më sistematik të industrisë automobilistike.

Sipas Karahasan, zhvendosja e industrisë globale drejt makinave elektrike mund të krijojë mundësi të reja edhe për ekonominë e vendit.

“Ndryshe nga shumë vende të Bashkimit Europian, Bosnjë-Hercegovina fatkeqësisht ende nuk i ndjek tendencat e zhvillimit të elektromobilitetit me të njëjtin ritëm dhe në të njëjtën shkallë, por nuk mund të themi se ai mungon apo se nuk është bërë përparim,” tha ajo.

Sipas Karahasan, është veçanërisht inkurajuese që kompanitë po i njohin gjithnjë e më shumë përfitimet e makinave elektrike përmes kostove më të ulëta operative, standardeve ESG dhe reduktimit të emetimeve të CO₂.

Tradita industriale e Bosnjë-Hercegovinës, pozicioni gjeografik, fuqia punëtore e kualifikuar dhe kostot konkurruese të prodhimit përbëjnë, sipas saj, potencial për të tërhequr investime në elektromobilitet dhe industri të lidhura me të.

“Në këtë kontekst, elektromobiliteti përfaqëson një mundësi të rëndësishme biznesi për Bosnjë-Hercegovinën, e cila tashmë, edhe pse në mënyrë modeste, po njihet përmes iniciativave dhe projekteve të para vendase,” tha Karahasan.

Ajo përmend zhvillimin dhe prodhimin e automjetit të parë elektrik vendas për transport mallrash dhe biçikletës elektrike, prezantimin e prototipit të skuterit të parë elektrik boshnjak, si dhe prodhimin lokal të karikuesve për automjetet elektrike.

Vendi po kërkon gjithashtu mundësi në prodhimin e komponentëve, sistemet e baterive, infrastrukturën energjetike dhe zgjidhjet software që lidhen me mobilitetin. Përveç prodhimit, sipas saj, po zhvillohen edhe modele të reja biznesi, nga sistemet car-sharing te menaxhimi inteligjent i karikimit dhe infrastruktura për makinat elektrike.

“Elektromobiliteti nuk përfshin vetëm automjetet, por zhvillimin e një ekosistemi të tërë – nga energjia dhe dixhitalizimi te arsimi, kërkimi dhe zhvillimi i teknologjive të reja,” tha Karahasan. “Pikërisht për këtë arsye, Bosnjë-Hercegovina ka një mundësi të pozicionohet si partnere rajonale në zinxhirët e furnizimit dhe në zhvillimin e mobilitetit të qëndrueshëm,” përfundoi ajo.

Mali i Zi Numri i automjeteve elektrike dhe hibride po rritet edhe në Malin e Zi. Sipas të dhënave të MONSTAT, vendi kishte 326,711 automjete të regjistruara në vitin 2025, 6.5% më shumë se 306,680 një vit më parë. Në vitin 2023, në Malin e Zi ishin regjistruar 552 automjete elektrike dhe 1,232 hibride. Numri i makinave elektrike u rrit me afro 30% gjatë vitit 2024.

Qeveria po përdor subvencionet për të nxitur zgjerimin e tregut. Fondi shtetëror Eco Fund rriti mbështetjen për blerjen e makinave elektrike deri në 7,500 euro, ndërsa automjetet hibride dhe plug-in hibride mund të përfitojnë subvencione deri në 4,000 euro. Gjithsesi infrastruktura mbetet një problem.

Përfaqësues të sektorit thonë se Mali i Zi ende nuk ka një rrjet të zhvilluar të karikimit, ndërsa çmimi i makinave të reja elektrike mbetet i lartë për një pjesë të konsumatorëve. Importuesit kanë ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e shpërndarjes së subvencioneve.

Një prej tyre, i cituar në kushte anonimiteti, kërkon që mbështetja të zgjerohet edhe për automjetet e përdorura hibride dhe elektrike deri në një moshë të caktuar. Kosova Në Kosovë, importet e makinave elektrike janë rritur ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, në vitin 2022 u importuan 150 makina elektrike.

Numri u rrit në 350 në vitin 2023, në 550 në 2024 dhe në 590 në vitin 2025. Vetëm gjatë janarit dhe shkurtit 2026 u importuan edhe 109 automjete elektrike. Në vlerë monetare, importet e dy muajve të parë të vitit arritën në rreth 1.7 milionë euro.

Vlera e importeve të makinave elektrike ishte 5.6 milionë euro në 2022, 11.7 milionë euro në 2023, 10.8 milionë euro në 2024 dhe 11 milionë euro në 2025, sipas të dhënave doganore. Kina është burimi kryesor i automjeteve elektrike që hyjnë në Kosovë. Në janar dhe shkurt 2026, 75% e tyre u importuan nga Kina, krahasuar me 73% gjatë gjithë vitit 2025.

Përfaqësues të Toyota-s në Kosovë kanë vlerësuar se industria automobilistike e vendit do të përballet me sfida gjatë tranzicionit drejt elektrifikimit. Sipas kompanisë, politikat aktuale fiskale nuk e mbështesin mjaftueshëm procesin krahasuar me praktikat e përdorura në Bashkimin Europian, ku automjetet me emetime më të ulëta përfitojnë shpesh stimuj.

Serbia prodhon, por nuk i përdor Në Serbi, përdorimi i makinave elektrike mbetet ende shumë i ulët, edhe pse vendi po përpiqet të zhvillojë njëkohësisht prodhimin, infrastrukturën dhe subvencionet për elektromobilitetin. Sipas Eurostat, në fund të vitit 2024 makinat elektrike përbënin vetëm 0.107% të flotës së autoveturave, një nga nivelet më të ulëta në rajon.

Sipas Forbes Serbia, gjatë vitit 2026 në vend numëroheshin rreth 7,200 automjete elektrike, ndërsa rrjeti publik kishte rreth 230 pika karikimi. Autoritetet po përgatisin edhe një kuadër të ri ligjor për zgjerimin e infrastrukturës së karikimit dhe karburanteve alternative.

Sipas Biznis.rs, qeveria serbe ka vijuar subvencionet për blerjen e automjeteve elektrike, me një fond prej 170 milionë dinarësh për vitin 2026 dhe mbështetje deri në 5,000 euro për automjet. Ndërkohë, sipas eKapija, Serbia po forcon rolin si bazë prodhuese për automjetet elektrike.

Fabrika e Stellantis në Kragujevac prodhon Fiat Grande Panda elektrike, krahas versioneve hibride dhe modeleve të tjera elektrike. Kjo krijon një kontrast të fortë: Serbia po prodhon automjete elektrike për tregun europian, ndërsa përdorimi i tyre në tregun vendas mbetet ende minimal. /Monitor.al

Burimi: Telegrafi