Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit po realizohet projekti për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës Ranatoc–Kokaj. Sipas Bashës, investimi kap vlerën e 569 mijë eurove dhe financohet nga Qeveria Kurti. Rruga ka gjatësi prej 3.26 kilometrash dhe gjerësi 5.5 metra.
Projekti përfshin asfaltimin në dy shtresa, me trashësi të përgjithshme prej 11 centimetra, si dhe ndërtimin e konstruksionit të rrugës. Po ashtu, parashihet ndërtimi i sistemit për largimin e ujërave, mureve mbrojtëse, bankinave dhe kanaleve për ujërat atmosferike.
Basha ka falënderuar Komunën e Gjilanit për bashkëpunimin, duke theksuar se Ministria e Infrastrukturës po vazhdon investimet në komuna të ndryshme të Kosovës. Sipas tij, këto projekte synojnë përmirësimin e infrastrukturës, lidhjen e vendbanimeve dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve.
