Hendbollistja e Samanda Konjuhaj po tregon lojëra të mira në fanellën e kombëtares së Kosovës që po luan në Lojërat Mesdhetare – “Taranto 2026”. Nënkryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Xhavit Morina, ka fjalë të mëdha për hendbollisten Konjuhaj. “Samanda Konjuhaj, e cila sapo ka mbushur 15 vjeç, është një nga talentet më premtuese të hendbollit kosovar.
Ajo luan në pozitën bek i djathtë (majtake)dhe është pjesë e KHF Besa nga Peja, ndërsa tashmë ka marrë besimin për të përfaqësuar Kombëtaren A të Kosovës në Lojërat Mesdhetare. Përkundër humbjes ndaj Italisë sot, Samanda la një përshtypje jashtëzakonisht të mirë, duke treguar pjekuri, guxim dhe shumë energji në fushë.
Në një moshë kaq të re, ajo dëshmoi se di të luajë me përkushtim dhe krenari kur vesh fanellën e Kombëtares. Për Kosovën, prania e një talenti të tillë në Kombëtaren A është një fitore e madhe për të ardhmen. Samanda është dëshmi se hendbolli ynë ka talente të reja dhe se me punë, përkushtim dhe përkrahje, ajo mund të bëhet një nga lojtaret e rëndësishme të së ardhmes së Kombëtares.
Të lumtë, Samanda! Vazhdo të punosh dhe të luftosh me këtë energji. E ardhmja është e jotja!” , ka shkruar Morina në profilin e tij në facebook.
