Një informacion se në një shtëpi në Prishtinë ndodheshin armë zjarri ka aktivizuar Policinë dhe ka përfunduar me bastisje, sekuestrimin e një arsenali armësh e municioni dhe arrestimin e një 72-vjeçari, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është M. V. i cili është ndaluar për 48 orë.
Rasti ka ndodhur të martën, më 25 gusht, rreth orës , në rrugën “Valentin Pistoli” në Prishtinë. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Policia kishte pranuar informacion se një person mbante armë zjarri në shtëpi, me ç’rast njësitë policore kanë dalë në lokacion. Pas kontaktit me policët, 72-vjeçari ka deklaruar se në shtëpi posedonte dy pistoleta.
Por bastisja që pasoi zbuloi shumë më tepër. Gjatë kontrollit të shtëpisë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar gjashtë pistoleta të llojeve të ndryshme, katër prej të cilave raportohet se ishin në defekt, si dhe një pushkë automatike në defekt.
Në mesin e armëve të sekuestruara figurojnë një M57 e kalibrit 7.62 mm dhe një Browning e kalibrit 7.65 mm, ndërsa janë gjetur edhe pistoleta të tjera, përfshirë një pa numër serik. Bashkë me armët, policët kanë sekuestruar tetë karikatorë dhe gjithsej 304 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Në mesin e municionit të gjetur ishin edhe 148 fishekë 7.62 mm për AK-47, municion për pistoleta dhe fishekë gjuetie. Pas bastisjes, M.V. është shoqëruar për intervistim në Polici, ku është marrë në pyetje në praninë e avokatit mbrojtës.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa është marrë vendim që i dyshuari të ndalohet për 48 orë në Qendrën e Ndalimit. Rasti mbetet nën hetime. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
