A është e drejtë të fyhesh nga të vërtetat?!

0%

Shumicës së “popullit të majtë”, sidomos shumicave të ushtrive të pensionistëve, patronazhistëve, administrativistëve…, kryesisht me banim dhe origjinë nga bastione të enverizmit, t’u thuash të vërtetat preken sikur t’u kesh hequr brekat…!?

Ose të sulen me zemërim, sikur t’i kenë pickuar gjarpërinjtë a nepërkat e sapo dala të gjalla nga prushi apo flakët e pyjeve të djegur gjatë këtyre javëve me të nxehtë Saharaje.

Më konkretisht, t’u kujtosh edhe plot nga ato që po i përjetojnë prej 82 vitesh, se po mashtrohen, vidhen, sëmuren, helmohen, vriten me doza të larta kimikatesh dhe hormonesh në ushqime dhe ilaçe; se po u dëbohen fëmijët e shkolluar nga atdheu…, e kuptojnë dhe interpretojnë sikur po i fut për së gjalli nën dhe apo po i fyen në “besë” dhe “nder”! Arsyeja është e lehtë kuptueshme!

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Këto gjëma apo të këqija kanë si autorë e bashkëpunëtorë politikanët dhe pushtetarët e partisë së tyre të zemrës! Prandaj u duket ngjashëm sikur u ke sharë nënë e babë, motër, grua, vajzë e nuse djali, mbesa e stërmbesa…!?

Ata ndjehen të fyer individualisht, familjarisht dhe politikisht edhe kur të tjerët, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, ua kritikojnë partinë, qeverinë, kryeministrin, kryebashkiakun edhe për “harresën” e premtimeve jetike (24 orë ujë, drita, internet, pastrim të qyteteve pa ndërprerje, premtuar në çdo fushatë zgjedhore) e jo vetëm për paaftësi dhe papërgjegjshmëri qeverisëse, administrative, sociale, politike…!?

Kulmi arrihet kur kritikat dhe kërkesat e drejta ndaj Rama-qeverisjes në protestat mbi 85-ditëshe në Tiranë, interpretohen nga kryeministri dhe “kori që i mban iso” si mosmirënjohje ndaj të mirave, si abuzime me demokracinë dhe lirinë e shprehjes, si të tepruara e të palogjikshme për realitetin dhe për kohën; si të nxitura nga jashtë…!?

Në të kundërt, po për këtë popull, për fatin e keq të Shqipërisë e të shumicës së shqiptarëve, asnjëherë POPULL EUROPIANO-PERËNDIMOR, me nivele të larta EMANCIPIMI DEMOKRATIK dhe QYTETAR, je fort i dëshirueshëm, tejet i pranueshëm, shumë i pëlqyeshëm, bujarisht i shpërblyeshëm… nëse flet e shkruan pozitivisht, me lavdërime në superlativa vetëm për kryeministrin dhe qeverinë e tyre; për “sukseset” dhe “fitorjet” e tyre; për “parajsën” që kanë sjellë ata, kur në të vërtetë nuk kanë shpëtuar as sot e kësaj dite nga ferri 82-vjeçar!

Sepse u besojnë gënjeshtrave të partisë dhe qeverisë së zemrës se resortet turistike mbi zona arkeologjike e të mbrojtura ligjërisht; kullat 25-35-katëshe edhe në qendër të qyteteve, duke ngrënë ndërtesa monumentale, lulishte, rrugë, sheshe dhe duke u bërë burim ndotjeje dhe mbingopjeje ajri me pluhura, edhe me doza kancerogjene…, janë dëshmi përparimi dhe rritjeje mirëqenieje jo për 1.000, 2.000, 10.000 bosë, oligarkë, “investitorë strategjikë” e familjarë të tyre, por për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Kur politikanët, publicistët, intelektualët kurajozë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, ua lakuriqësojnë me të vërteta të përjetueshme e të pakundërshtueshme “ferrin socialist”, menjëherë enveristo-edramistët, edhe nga ata të moshës së tretë, me pampersa si foshnjet, sikur të jenë të telekomanduar nga një qendër partiake, bëjnë gjithçka dinë dhe munden t’ia mbulojnë pjesët e lakuriqta partisë së tyre të zemrës dhe qeverisjes së saj!

Përfshirë edhe mbulimin me gjethe fiqsh dhe kanabizi të korrupsionit, të skandaleve, turpeve, gabimeve, dështimeve, mosrealizimeve…! Përveç këtyre, duke ua justifikuar palogjikshëm politikanëve dhe pushtetarëve të tyre të zemrës dhe votës pandjeshmërinë njerëzore e sociale; papërgjegjshmërinë ligjore, shtetërore, kombëtare…!?

Edhe duke heshtur apo bërë avokatin mbrojtës dhe bojaxhiun për masakrat ndaj trashëgimisë arkeologjike, arkitektonike, ambientaliste, kulturore…!!!???

Sipas trurit dhe logjikës së palogjikshme të këtyre “majtistëve”, je “i yni”, je “bos”, je “artist”, je i denjë për çdo detyrë e post… për këtë gjoja “popull të majtë”, nëse i thua derrit-dajë e dosës-gocë; hajdutit-më i ndershmi në dynja; mediokrit dhe diplomablerësit-profesor dhe akademik; trafikantit-tregtar korrekt…!?

Edhe më rëndë e më keq, nëse e mban dhe trajton antishqiptarin, serb, grek, dreq a shejtan, fqinj apo më të largët, si vëlla ideal; kriminelin, me autorësi plot jetësh të vrara e në varre, si engjëll mbrojtës e roje, si shok dhe ortak; laviren, si të virgjër e të ndershme, siç i kanë lindur nënat…!?

Alogjizmi, “dehja politike”, “verbëria” vetëm ndaj gabimeve, dështimeve, të këqijave nga ana “e majtë”, domethënë nga partia dhe qeveria e zemrës e enveristëve, edramistëve, thaçistëve, ramushhajadinajistëve, aliahmetistëve…”lakuriqësohen” edhe nga një këndvështrim e argument tjetër.

E kush prej enveristo-edramistëve në Shqipëri, Kosovë, MV, Malin e Zi… dhe diasporë pyet dhe dyshon për vërtetësi të shikueshme e vlerë ligjore të “dokumenteve”, që kanë dalë nga Olta Xhaçka, Linda Balluku, Ilir Beqaj, Endri Fuga, Ergys Agasi, Artur Shehu, Ermal Beqiraj, Ilir Shtufi…, domethënë nga… Edi Rama, dora vetë???

Edhe pse kryeministri ka mbi 10 vjet që përrallis se këta “kanë ngrënë kumbulla, dardha, pjeshka, fiq…” pas kurrizit të tij ose kur ai ka qenë në gjumë të rëndë pas ndonjë doze të fortë ose pas zbrazjes së një shisheje me verë të shtrenjtë, 33 mijë euro, në të vërtetë asnjeri prej tyre nuk ka bërë asgjë pa dijeninë dhe firmat e Ramës!

Absurdi apo verbëria e tyre partiake, jo vetëm nga “syri i majtë”, por në të dy, për më tepër e më keq, në tru, shprehen e lehtë kuptohen kur vënë shenjën e barazimit mes 70 viteve të qeverisjeve apo të “ferrit komunist” nga Enveri, Ramizi, Fatosi, Ilir Meta, Pandeli Majko, Edi Rama me 12 vitet e qeverisjes nga PD-Berisha, natyrisht jo ideale e jo e pakritikueshme për jo pak çështje, vendime e veprime…!?

Megjithatë, shifrat flasin SHQIP e jo edraamisht. Kështu, në kohën e atij Saliut “të keq” çmimet e shumicës së ushqimeve, perimeve, fruta-zarzavateve, shërbimeve shtëpiake, edhe të letrave higjienike për WC, të biletave të furgonëve dhe autobusëve…, ishin 2-4 herë më të lirë se sa në kohën “e artë” të Edi Ramës!

Për paradoks apo si për t’ia hequr krejt veshjet qeveritarëve dhe opinionistëve të tyre, pagat e pensionet gjatë 13 vjetëve Rama janë rritur vetëm rreth 25%-35%, ndërsa inflacioni i vërtetë e jo ai sipas INSTAT-it qeveritar këtë vit është e do të jetë jo 3.4-3.6%, por në rreth 8-9%…!?

Ndërsa në Kosovë, nga partitë shqiptare të opozitës si dhe nga Lista Serbe, sikur të drejtoheshin nga një dirigjent, barazohen 22 vitet e qeverisjeve nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Abdullah Hoti… me 5 vjet qeverisje nga LVV e Albin Kurti!?

Jo vetëm kaq, por paturpësisht, pisllëqet apo bëmat e tyre në favor të serbëve në Kosovë dhe në Serbi u lihen në dyer qeverisjes Kurti, të përkushtuar maksimalisht dhe “mes shumë zjarresh”, ndaj të mirës për Kosovën, shtetin dhe shtetasit e saj. Natyrisht, duke qenë njerëz dhe mes pengesave e vështirësive të panumërta, jo gjithçka e kanë bërë siç duhet apo përkryer, domethënë jo pa gabime!

Po u kujtoj atyre që kanë kujtesë të dobët për punët dhe të mirat e Albin Kurtit dhe kujtesë shumë të fortë apo kompjuterike për gabimet e tij, domethënë turmave me thaçistë, isamustafaistë, haradinajistë, hotistë…, batonhaxhiajistë, beratbuzhalistë… disa nga veprat e tij që kanë gëzuar SHQIPTARËT dhe mërzitur serbët: Deri më 2020 në Veriun e Kosovës ligjin e bënin strukturat paralele jo legale të serbëve, nënkuptohet, me urdhër e miratim nga Vuçiç, Brnabiç, Daçiç, Vulin, Gjuriç, Radojçiç…

Deri më 2020 e ca më vonë në qyteza e fshatra të Veriut të Kosovës, ekzistonin dhe vepronin 132 grupe ilegale; 29 rrugë ilegale për kontrabandë dhe hyrje të grupeve kriminale nga Serbia; disa laboratorë të kriptovalutave, që vidhnin energjinë dhe dëmtonin shtetin e Kosovës…!?

Ishin të pranishme dhe vepruese formacione ilegale, që guxuan të mendonin dhe organizonin sulmet terroriste në Banjskë, në kanalin e Ibër-Lepencit?

Nëpër rrugët e Veriut dhe përtej tyre në brendësi të komunave me shumicë serbe të Kosovës, politikanët dhe pushtetarët serbë ndjeheshin dhe vepronin si zotër edhe në Liqenin e Ujmanit e përgjithësisht në Mitrovicën e Veriut, sa të ndërtonin, si në prona të veta, edhe vila luksoze…

Njëkohësisht, ishin të plotpushtetshëm edhe për uzurpimin e dhunshëm të pronave të shqiptarëve e për dëbimin e tyre nga ato komuna!? Edhe për t’i bërë zgjedhjet për pushtetin qendror e komunal dhe për t’i nxjerrë rezultatet dhe fituesit, siç dëshironin ata…

Plus këtyre, gjatë qeverive Thaçi, Mustafa, Haradinaj, Hoti… banorët serbë në Veri, ndryshe nga banorët shqiptarë, nuk paguanin fare energjinë elektrike, ujin dhe taksa të tjera!?

Sipas vlerësimeve nga disa diplomatë ndërkombëtarë filoserbë e nga Beogradi, qeveritare dhe shtetërore, një nga “kryeveprat” e LDK-së dhe PDK-së ka qenë vënia prej disa vitesh në prag miratimi, në bisedimet mes qeverive të Serbisë e të Kosovës, të Marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Siç dihet, për herë të parë kjo marrëveshje, me rrjedhoja të rrezikshme për integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës, është nënshkruar më , nga Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi, atëherë në postin e kryeministrit. Kjo periudhë apo ky proces serbizimi në komunat e Veriut të Kosovës, ka marrë fund gjatë 5 viteve e gjysmë të qeverisjes nga LVV-Albin Kurti.

Sot Veriu nuk kontrollohet më nga bandat serbe, por nga institucionet e ligjshme dhe demokratike të qeverisë e të shtetit të Kosovës. Pra, qeverisja LVV-Albin Kurti ia shkatërroi Vuçiçit një skenar të ri në kuadër të zbatimit të një projekti shekullor në Veri të Kosovës; i riktheu shtetit të Kosovës integritetin, sovranitetin dhe normalitetin në Veri.

Merret me mend se ky ndryshim rrënjësor e thuajse tërësor, faktik e juridik, i realitetit në Veri të Kosovës është përjetuar me hidhërim dhe zemërim të madh tek liderët e serbëve në Kosovë e tek Vuçiçi dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë edhe miq të tij në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Podgoricë, Moskë, Minsk,…

Burimi: Bota Sot