Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së partisë së tij, Serbia ka pësuar humbje të mëdha në Kosovë. “Serbia e humbi kontrollin mbi veriun. Serbia i humbi strukturat paralele kriminale në veri dhe gjithë vendin. Serbia humbi të gjitha komunat paralele në Kosovë” , ka shkruar ai në një status në Facebook.
Më shumë se kaq, Serbia, sipas deputetit të VV-së, ka humbur edhe bashkëpunëtorët e saj në Kosovë. “Deri tani për këto katër vite tetë të arrestuar: Bedri Shabani, Muharrem Qerimi, Aleksandar Vlajic, Jelena Gjukanovic, Hysri Selimi, Bojan Jevtic, Fatmir Sheholli, Fehim Sali”, ka shkruar ai.
“Dhe të gjitha këto humbje Serbia i ka pësuar gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin”. Reagimi i tij vjen në kohën kur çështja e spiunazhit është rikthyer në vëmendjen publike pas ngritjes së aktakuzës ndaj Fatmir Shehollit.
