Një ndeshje që nuk harrohet nga dashamirët e futbollit, padyshim është ndeshja e javës së 19-të e Ligës së Parë të ish Yu, mes Prishtinës dhe skuadrës boshnjake, Zhelezniçarit nga Sarajeva. Prishtina e fitoi ndeshjen me rezultat 2:0 ndaj Zhelezniçarit, në një terren të mbuluar me borë, ditë e ftohtë e 24 shkurtit (e diel) gjatë vitit 1985, mbi 20 mijë shikues në stadiumin e Prishtinës.
Fadil Muriqi shënoi gol të bukur në minutën e 24-të dhe Sahit Kelmendi në atë të 55-tën. “Aksioni u zhvillua në krahun e djathtë. Topi arriti te Prekazi, i cili ishte në anën e djathtë, jashtë zonës së rreptësisë. Ai e vërejti në anën e kundërt që afrohej Fadil Muriqi dhe ia pasoi topin.
Muriqi, prej nga 18–19 metrash, nga krahu i majtë. dërgoi një gjyle të foertë në këndin e kundër të bportierit Shkërba i cili as që arriti të lëvizë:”, k a shkruar mes të tjera gazeta “Rilindja”më 25 shkurt të vitit 1985. Sipas kësaj gazete, sikurse pas çdo ndeshjeje sportive ashtu edhe pas ndeshjes Prishtina – Zhelezniçari (2:0) disponimi i aktorëve në taborët rivale qe i ndryshëm.
Derisa në lokalet e Prishtinës hareja s’kishte të sosur, lokalet e Zhelezniçarit, pasi hynë lojtarët në të, një kohë të gjatë nuk u hapën fare. Dëgjohej një shamatë e pakënaqësi. Sarajevasit qenë aq të zëshëm sa fajësimi i njëri-tjetrit për disfatën e pësuar dallohej edhe jashtë.
Ndër më të zëshmit ishte shefi i shtabit teknik Ivica Osim, i cili kur doli nga lokali për ta dhënë vlerësimin e tij lidhur me këtë ndeshje megjithatë dukej mjaft i qetë: “Fitorja e Prishtinës është e merituar. Futbollistët e saj shprehën dëshirë më të flaktë për të arritur rezultatin e favorshëm dhe iu përshtatën më mirë terrenit të vështirë sesa futbollistët e mi”.
“Nuk është vështirë të zbulohet çelësi i suksesit”, – tha shefi i shtabit teknik të Prishtinës Ajet Shosholli – “Të gjithë lojtarët zbatuan në tërësi detyrat e shtruara dhe u angazhuan maksimalisht për fitoren e vlefshme. Kontribut të njëjtë dhanë edhe shikuesit me brohoritjet e tyre”. Prishtina – Zhelezniçari 2:0 Ndeshja u zhvillua në stadiumin e qytetit, para afro 20 mijë shikuesve.
Moti ishte i ftohtë e me borë. Fusha mjaft e vështirë për lojë. Gjyqtar kryesor ishte Stanisha Belin i Pançevës, të cilit i ndihmuan Pulis nga Otoku dhe Kostadinoviq nga Krushevci. Me karton të verdhë u ndëshkua vetëm Mihajlloviqi i Zhelezniçarit. Raporti i korneve ishte 6:4 në të mirë të Prishtinës.
Prishtina: Neshet Zhaveli 7, Agim Cana 8, Behajdin Gjinali 7, Rafet Prekazi 7, Skënder Shengyli 7, Rifat Mehinoviq 7, Kujtim Shala 7 (Mensur Nexhipi), Sahit Kelmendi 8, Fadil Vokrri 8, Fadil Muriqi 8 dhe Zoran Batroviqi 7. Zhelezniçari: Shkërba 7, Berjan 6, Baliq 6, Shabanaxhoviq 6, Çaliq 5, Komshiq 6, Bahtiq 5 (Çuliq), Shkoro 6, Mihajlkoviq 5, Bazhdareviq 6 dhe Samarxhia (Gjorxheviq 5).
