Çështja e Jurisprudencës, Shasivari do t’i ftojë në takim studentët

0%

Përpara se të marrë formën zyrtare çështja e provimit të jurisprudencës, ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari do të organizojë takim me studentët dhe dekanët e fakulteteve juridike për t’ua prezantuar zgjidhjen ligjore.

Shasivari për Alsat thotë se zgjidhja është e njëjta e cila është prezantuar paraprakisht, ndërsa shton se në Ministri kanë arritur kërkesa që kërkohet provimi krahas shqipes të jepet edhe në gjuhën angleze dhe turke.

“Presim edhe kërkesën e universitetit të parë me mësim në gjuhën shqipe, pra Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe në periudhën që vjen do të organizojmë këtë takim konsultativ, informues me përfaqësues të asociacioneve studentore dhe dekanëve të fakulteteve juridike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ky dialog është shumë i rëndësishëm edhe për ta adresuar edhe çështjet praktike për organizimin e provimit të jurisprudencës në disa gjuhë. Pra çështja e materialeve të provimit, literaturës juridike, dispozitave juridike, pyetjeve të provimit, çështja e kritereve profesionale të vlerësimit, çështja e përkthimit”, thotë ministri Shasivari për Alsat.

Lidhur me qëndrimin e studentëve të cilët këtë zgjidhje e kanë hedhur poshtë, pasi e njëjta parashikon që teoria të jepet në gjuhën amtare, ndërsa praktika në gjuhën maqedonase, Shasivari shprehet se do t’i bind se bëhet fjalë për avancim.

”Jam i bindur se me një sqarim edhe profesional edhe institucional, studentët, kandidatët e ardhshëm do ta kenë të qartë se bëhet fjalë për një avancim dhe për një qasje gjithëpërfshirëse”, shton Shasivari.

I pyetur për kërkesën e studentëve që çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës ta zgjidh me vetëm një vendim e jo të bëjë ndryshime ligjore, Shasivari shprehet se nuk duhet bërë eksperimente, pasi zgjidhja duhet të jetë afatgjate. Sipas tij, provimi i jurisprudencës do të jetë pa barriera gjuhësore.

“Qasja jonë është qasje afatgjate, ne nuk e zvarrisim procesin, por ne e kemi ndërtuar një zgjidhje e cila është e qëndrueshme, është në pajtim me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe me standardet ndërkombëtare”, deklaroi Shasivari.

Gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesit e iniciativës studentore u shprehën për Alsat se ata nuk lëvizin nga qëndrimi se provimi i jurisprudencës duhet të mbahet në shqip si në teori ashtu edhe në praktikë, ndërsa thanë se nëse nuk plotësohen kërkesat do të vazhdojnë me protesta.

Burimi: Bota Sot