“Pa prit e pa kujtu” shkoi në Moskë – shefi i CIA-s u takua me

0%

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka zhvilluar bisedime me zyrtarë të inteligjencës ruse gjatë një vizite të papritur në Moskë të martën, por nuk është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. Kremlini konfirmoi vizitën, ndërsa zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi se “asnjë takim me Putinin nuk ishte planifikuar”. Sipas tij, presidenti rus është informuar për rezultatet e diskutimeve.

As Uashingtoni dhe as Moska nuk kanë bërë të ditur se çfarë është diskutuar, duke e lënë të paqartë qëllimin e vizitës së kreut të CIA-s në kryeqytetin rus, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Vizita e Ratcliffe ka nxitur spekulime se ai mund të ketë përcjellë personalisht një mesazh të ndjeshëm nga Uashingtoni, në një kohë të tensionuar për luftën në Ukrainë dhe shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm të veprimeve ruse ndaj Evropës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas raportimeve që citojnë burime të njohura me çështjen, SHBA-ja i kishte kërkuar Ukrainës që të mos kryente sulme ndaj Moskës apo Shën Petersburgut gjatë kohës që Ratcliffe ndodhej në Rusi. Një nga mundësitë e përfolura është se drejtori i CIA-s ka shkuar në Moskë për të paralajmëruar Rusinë për pasojat e një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Vizita e tij ka sjellë gjithashtu krahasime me udhëtimin e ish-drejtorit të CIA-s, William Burns, i cili kishte vizituar Moskën në nëntor të vitit 2021, pak muaj para pushtimit të plotë rus të Ukrainës, për të paralajmëruar Kremlinin kundër një sulmi. Megjithatë, Ukraina mund të mos ketë qenë e vetmja temë e diskutimeve.

Vizita vjen edhe në kohën e tensioneve në rritje mes Uashingtonit dhe Moskës lidhur me Iranin. Peskov i cilësoi kontaktet mes dy shërbimeve të inteligjencës si pozitive, por tha se është ende herët të vlerësohet nëse ato mund të ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve më të gjera mes SHBA-së dhe Rusisë.

Burimi: sinjali.com