Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Prokuroria që të rihapë hetimet lidhur me rastin e rreth një milion eurove që i janë dhënë Fatmir Shehollit dhe bashkëpunëtorëve të tij nga persona të lidhur me AKI-në.
Në një reagim publik, Krasniqi ka ngritur pretendime të rënda, duke thënë se rasti nuk duhet të trajtohet vetëm si çështje e keqpërdorimit të mjeteve financiare, por duhet të hetohet edhe nëse ka elemente të tradhtisë ndaj vendit, sabotimit, spiunazhit, cenimit të sigurisë kombëtare dhe rendit juridik.
Ai ka kërkuar që rasti të mos u besohet personave që, sipas tij, kanë qenë të përfshirë në mbylljen e mëparshme të hetimeve, duke kërkuar që të shqyrtohet edhe përgjegjësia e tyre. Postim i plotë: Prokuroria urgjentisht duhet të rihapë hetimet për rastin e 1 milion eurove të dhëna Shehollit&Co nga Gashi, Maxhuni&Co(AKI).
Ka të bëjë me tradhëti ndaj vendit, sabotim dhe spiunazh, cenim të sigurisë kombëtare dhe rendit juridik, e jo vetëm me keqpërdorim mjetesh financiare. Rasti nuk duhet tu jipet atyre që e kanë mbyllur, por gjithashtu edhe ata duhet të hetohen. KPK dhe kryeprokurori duhet të veprojnë menjëherë! Ku kanë shkuar ato mjete?
Cilët individë, figura publike, parti, OJQ, media e portale janë financuar?
