Një grua 66-vjeçare nga Kalifornia po dëshmon se mosha nuk është pengesë për të garuar në nivelet më të larta të skateboard-it. Judi Oyama, e cila ka hipur në skateboard që në moshën 13-vjeçare, ka zgjatur rekordin e saj si skateboardistja më e moshuar në botë që garon në mënyrë konkurruese.
Oyama ishte 66 vjeç e 25 ditë kur mori pjesë në Kampionatin Botëror Ndërkombëtar të Slalom Skateboarding në Brazil, në nëntor të vitit 2025. Guinness World Records konfirmoi se pjesëmarrja e saj e re e theu rekordin që ajo vetë kishte vendosur në vitin 2024, kur ishte 64 vjeçe. Por 66-vjeçarja nuk ka ndërmend të ndalet.
Ajo planifikon ta zgjasë sërish rekordin në tetor, gjatë World Skate Games, transmeton Telegrafi. Oyama nisi të garojë profesionalisht në vitin 1975 dhe në vitin 2018 u përfshi në Skateboarding Hall of Fame, duke u shndërruar në një prej figurave më të respektuara të këtij sporti.
“Ndjej se çdo vit kam garuar në nivelin tim më të mirë, por e di se ndërsa plakem, nuk kam më nevojë t’i dëshmoj asgjë askujt”, tha ajo. Një histori që tregon se pasioni, jo mosha, është ajo që përcakton se deri ku mund të shkosh.
