Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar, njëri nga ta me shtetësi të Shqipërisë, për disa raste të vjedhjeve të rënda në rajonin e Gjilanit dhe rajone të tjera të vendit.
“Të njëjtit dyshohet se në bashkëveprim dhe si pjesë e një grupi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për një periudhë të gjatë kohore, kanë kryer disa vepra penale të vjedhjes së rëndë në rajonin e Gjilanit dhe gjithashtu dyshohet edhe në rajone të tjera të Republikës së Kosovës”, njofton policia.
Poashtu një person tjetër i njohur për policinë dhe i dyshuar për përfshirje si pjesë e grupit në këto veprimtari kriminale është identifikuar dhe është vënë në kërkim policor me qëllim të lokalizimit dhe arrestimit të tij. “Në kuadër të këtij hetimi janë realizuar edhe bastisje në disa lokacione në qytetin e Gjilanit, Prishtinës dhe Fushë Kosovës.
Ndërsa gjatë hetimeve janë sekuestruar prova dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se lidhen me veprimtarinë kriminale të personave të dyshuar. Në mesin e sendeve të sekuestruara pajisje të ndryshme që dyshohet se janë përdorur për komunikim, maskim dhe mjete për hapje me forcë të dyerve, kasafortave dhe objekteve të tjera, me qëllim të kryerjes së vjedhjeve”, vazhdon njoftimi.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ndaj tyre janë ndërmarrë procedurat e mëtejshme ligjore.
