Komuna e Gjakovës ka shënuar nivelin më të lartë të zbatimit të masave parandaluese për sigurinë në shkolla, megjithëse sfidat me raportimin e rasteve të dhunës dhe praninë e armëve mbeten të pranishme .
Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit tregon se në 7 shkollat e përfshira në mostrën e Gjakovës janë identifikuar 107 raste dhune në evidencat e brendshme, kundrejt 49 rasteve të evidentuara nga Policia e Kosovës dhe 25 rasteve të raportuara në sistemin SMIA . Sipas të dhënave, Gjakova prin me masa konkrete organizative, raporton Telegrafi.
Shkollat po boshatisen, buxhetet komunale po rëndohen – çfarë po ndodh me mësimdhënësit nëpër komunat e Kosovës? Të gjitha shkollat e vizituara zbatojnë planin e kujdestarisë në korridore, ndërsa 86 për qind e tyre kryejnë kontrolle të rregullta te nxënësit .
Si rezultat i këtyre masave, 71 për qind e nxënësve të anketuar janë deklaruar se ndihen të sigurt në shkollë, që përbën përqindjen më të lartë mes tri komunave të audituara .
Ndër praktikat e veçanta të evidencuara në Gjakovë është ajo e shkollës “Hajdar Dushi”, ku në orën e parë të mësimit mblidhen telefonat celularë të të gjithë nxënësve dhe ruhen në sallën e arsimtarëve deri në përfundim të orarit .
Pavarësisht nivelit më të lartë të disiplinës, 16 për qind e nxënësve të anketuar në këtë komunë kanë deklaruar se kanë qenë dëshmitarë të posedimit të armëve në ambientet e shkollës . / Telegrafi
